Vikendi për kosovarët: Rikthimi i Rashicës, Rrahmani ndaj Juves dhe forma e Muriqit e Celinës

Edhe kjo fundjavë do të na mundësojë që të shohim disa prej lojtarëve kosovarë tek zbresin në fushën e blertë.

Sport

21/09/2019 08:16

Emra si Bersant Celina, Amir Rrahmani, Vedat Muriqi, por edhe Arijanet Muric e Atdhe Nuhiu do të kenë angazhime me skuadrat e tyre përkatëse, duke mos lënë anash edhe Leart Paqaradën e Besar Halimin, shkruan lajmi.net.

Vëmendje e madhe nga tifozët e Kosovës do të ketë edhe në ndeshjen që Werder Bremen e luan kundër liderëve të Bundesligas, Leipzig, ndeshje në të cilën pritet rikthimi i yllit kosovar, Milot Rashica. Kjo ndeshje do të luhet me fillim nga ora 18:30.

Po në futbollin gjerman, por në një kategori më poshtë, luan skuadra e Sandhausen, ku aktivizohen Halimi e Paqarada. Kundërshtari i tyre do të jetë Bochumi, raporton lajmi.net.

Edhe futbolli anglez do të ketë hapësira për lojtarët e Kosovës, ku në Championship sot luan Nottingham Forest, ku të gjithë po presin rikthimin e Arijanet Muric në formacionin startues. Interesante do të jetë edhe ndeshja mes Bristol – Sëansea, ku Celina pritet të ketë minutat maksimale në këtë takim, fal formës së lartë që po e kalon. Kurse, në ndeshjen Sheffield – Fulham, Atdhe Nuhiu pritet ta nis nga banka rezervë, por mund të ketë minuta në fundin e lojës.

Sulmuesi më në formë tek Kosova, Vedat Muriqi, sonte luan para tifozëve të tij me Fenerbahce, kur nga ora 19:00 përballen me Ankaragucu. Muriqi do të synojë rrugën e golit edhe në këtë ndeshje, ku Feneri shihet si favorit për tri pikët.

Ndërsa, punën më të vështirë nga të gjithë do ta ketë qendër mbrojtësi kosovar, Amir Rrahmani. Amiri dhe skuadra e tij Verona do të kenë përballë kampionët e Serie A, Juventus, të udhëhequr nga Cristiano Ronaldo. Portugezi do të jetë padyshim kundërshtari më i fortë që Amiri ka pasur përballë.

Mbetet të shihet se si do t’ia dalin yjet e Kosovës në këtë vikend. Rezultatet pozitive të tyre janë ato që na gëzojnë të gjithëve. /Lajmi.net/