Video e re me babadimrat grabitës

A1 Report publikon videon e dytë ku shihen 4 babadimra tek grabisin 400 mijë euro në Tiranë. Siç raportohet, rrjeti i këtyre grabitësve të përbërë nga shqiptarë dhe kosovarë janë autorë të një sërë grabitjesh masive edhe në qytete tjera europiane.

Lajme

03/01/2014 21:06

Një tjetër video e re është publikuar nga grabitja në Qendrën Tregtare në lindje të Tiranës, ku katër babadimra të maskuar kanë vjedhur afërsisht 400 mijë euro, në një argjendari.

Kjo ngjarje, e cila ka ndodhur më 24 dhjetor, është ende duke u hetuar.

Siç raporton A1, nga të dhënat paraprake të grupit hetimor ka dyshime të arsyeshme se grabitësit i përkasin një rrjeti të mirorganizuar i cili funksionon me shqiptarë dhe kosovarë, të cilët dyshohet se janë autorë të një sërë grabitjesh masive dhe në qytete të tjera europiane.

“Edhe pse nga policia pati pak të dhëna mbi grabitjen, në videon e sjellë nga A1 Report duket qartë se në rrezik kanë qenë jo vetëm qytetarët që ndodheshin aty në ato momente, por dhe një fëmijë i cili është nxjerrë nga një prej grabitësve jashtë argjendarisë. Video tregon se si qytetarët vazhdojnë ritualin e tyre në qendrën tregtare pa e kuptuar se çfarë po ndodhte, ndërsa prania e punonjësve të policisë private nuk i ka trembur aspak grabitësit”, raporton A1 Report.