Vëzhguesit e parë evropianë të zgjedhjeve vijnë në Kosovë

Misioni i parë evropian i vëzhguesve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit është nisur për në Kosovë. 

Lajme

20/05/2014 18:37

Parlamenti Europian ka dërguar në Kosovë, tetë vëzhguesit e parë, të cilët do të kryesohen nga eurodeputeti italian Roberto Gualtieri. Ata do të ndjekin nga afër përgatitjen e zgjedhjeve të 8 qershorit. Ndërsa mbi 80 vëzhgues pritet të arrijnë ditët në vazhdim. 

Sipas një deklarate të lëshuar të martën nga zyra e shefes për politikë të jashtme të BE-së, Catherine Ashton, vendosja e këtij misioni është edhe një shenjë e angazhimit të Bashkimit Evropian në Kosovë, pas monitorimit të zgjedhjeve komunale në mes datave tetor 2013 dhe shkurt 2014. 

Në këtë deklaratë të cilën e transmeton agjencia italiane e lajmeve ANSA, thuhet se me këtë pasqyrohen përpjekjet evropiane afat-gjata për të nxitur zgjedhje të besueshme, transparente dhe gjithëpërfshirëse në Kosovë. 

Misioni vëzhgues i zgjedhjeve do të raportojë për vlerësimin paraprak të mbarëvajtjes së zgjedhjeve, në një konferencë për shtyp në Prishtinë në ditën e zgjedhjeve, dhe më pas do të publikojë raportin e tij përfundimtar në javët në vijim.