Vëzhguesit e BE-së vendosen të dielën në çdo zonë zgjedhore të Kosovës

Vëzhguesit afatgjatë të Misionit të Bashkimit Evropian për monitorimin e zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit në Kosovë, do të vendosen këtë të diele në mbarë Kosovës.

Lajme

23/05/2014 12:46

Përmes një komunikatë për media, ekipi vëzhgues ka njoftuar se njëzet vëzhguesit e parë do të vendosen dy nga dy në zonat zgjedhore në tërë Kosovën, ndërsa të tjerët do të vijnë pak orë para se të fillojë votimi.

Në fillim të kësaj jave, presidentja Atifete Jahjaga ishte njoftuar me vendimin e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme e Siguri, Catherine Ashton, për të dërguar mision vëzhgues për monitorimin e zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit në Kosovë.

Presidentja Jahjaga kishte kërkuar dërgimin e këtij misioni, pasi sipas saj minitorimi ndërkombëtar ndihmon që zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme në vend të jenë të sigurta, të ndershme, demokratike dhe gjithëpërfshirëse, ku të gjithë qytetarët do të kenë mundësinë të votojnë në mënyrë të lirë.