Vetëvendosje zyrtarisht në Tiranë, Kurti rikujton bashkimin kombëtar

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri shënoi çeljen e veprimtarisë së saj.

Lajme

23/05/2019 09:13

Rreth 600 persona morën pjesë në takimin e parë.

Drejtori i Qendrës në Shqipëri, Boiken Abazi shpjegoi pse kjo shtrirje nga Prishtina në Tiranë dhe synimin e kësaj organizate.

“Sot, pas gati 30 vitesh prej ndryshimit të regjimit, e kanë kuptuar të gjithë se ky nuk është tranzicion. Ky është vetë sistemi. Ekonominë e ka lënë pa prodhim, bujqësinë pa mbrojtje nga tregtia e pandershme, mbrojtjen e vendit pa ushtri me armatim bashkëkohor, dijen e ka lënë në mëshirën e fatit, ndërsa shëndetin publik në ligjet e pamëshirshme të tregut.

Ky sistem është edhe më brutal nëse je grua, fëmijë apo i moshuar. Edhe më keq nëse je nga periferia. Produkti me rendimentin më të lartë i këtij sistemi janë të përjashtuarit. Eksporti më i madh i këtij sistemi janë vetë shqiptarët. Sigurisht që zgjidhjet nuk arrihen lehtë, por ato janë këtu mes nesh, dhe presin. Presin që ne t’i njohim e t’i marrim përsipër. Presin angazhimin tonë, përkushtimin tonë, sakrificat tona, organizimin që i nxjerr ato në dritë e që i sjell ato në jetë. Ky organizim tashmë ka nisur…” – tha Abazi.

Çeljen e Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, e përshëndeti edhe Albin Kurti që vuri theksin te bashkimi kombëtar.

“Bashkimi ynë kombëtar dhe Bashkimi Evropian as nuk e zëvendësojnë njëra-tjetrën dhe as nuk e pengojnë njëra-tjetrën. Është gabim të përdoret bashkimi kombëtar për ta frikësuar Bashkimin Evropian. Mënyra e tillë na lë edhe pa bashkim kombëtar, edhe pa Bashkim Evropian. E neve na nevojiten të dyja, pra, edhe bashkimi kombëtar, edhe Bashkimi Evropian.

Shqiptarët janë fuqi rajonale. Ne duhet ta pranojmë këtë fakt, ashtu qysh po e pranojnë fqinjët tanë. Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, bashkimi kombëtar i shqiptarëve, në Ballkan, bëhen paralelisht me krijimin e aleancës ballkanike Shqipëri-Kosovë-Kroaci-Bullgari, plus Sarajeva, Podgorica dhe Shkupi zyrtar, ku shqiptarët duhet të prijnë” – tha Kurti/Dita.