Vetëvendosje shkeli parimet

Vetëvendosje ka shkelur parimet që ka pasur deri tash dhe kjo lëvizje ka ndërruar më shpejt se që duhet qëndrimet e saj, ka thënë Shpend Kursani në emisionin Info magazinë të Klan Kosova, kurse Petrit Zogaj ka vlerësuar se Hashim Thaçi nuk ka investuar sa duhet në krijimin e partneritetit. 

Lajme

08/07/2014 20:40

Vetëvendosje dhe zoti Kurti i ndërruan shumë shpesh mendimet, ka vlerësuar Kursani.  

“Është normale me ardhë në këtë pozicion pas 4 vjetëve. Është si me ra prej katit të dhjetë. Këta e treguan se po duan të hyjnë në qeveri, gjë të cilën e kanë kundërshtuar vazhdimisht”, ka thënë Kursani në televizionin Klan Kosova.

Ai ka vlerësuar se në këtë fazë, para konstituimit të Kuvendit, asnjë lider nuk është komod.

“Asnjërin nga liderët nuk e shoh në pozicion të mirë”, është shprehur Kursani.

Petrit Zogaj, ndërkaq, ka thënë se arsyeja se pse lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, nuk po mund të gjejë partner për koalicion, është se ky i fundit nuk ka investuar sa duhet në këtë çështje, pasi që Thaçi është fokusuar më shumë për t’i fituar zgjedhjet.

“Është z. Thaçi ai i cili i ka fituar zgjedhjet, e jo PDK-ja, dhe Thaçi nuk ka investuar shumë në krijimin e partneritetit. Krejt angazhimi i tij ka qenë që të jetë partia e parë. Nuk mendoj që ka zëra të shqetësuar në PDK për ti bërë presion Thaçit. Mund ta kritikojnë vetëm për faktin që s’po mund të krijojë koalicion”, ka vlerësuar Zogaj.