Vetëvendosje po gënjen

Asdren Osaj i kundërpërgjigjet Vetëvendosjes për tubimin në shkollën e lagjes Mat. Thotë se VV nuk ka pasur leje nga KKZ që ta mbajë këtë tubim.

Lajme

23/11/2013 11:14

Zyrtarë të Komunës së Prishtinës kanë kundërshtuar versionin e Lëvizjes Vetëvendosje për një tubim të mbajtur mbrëmë në një lagje ët Prishtinës.

Lëvizja Vetëvendosje kishte akuzuar dje Drejtorin e Drejtorisë për Arsim në Komunën e Prishtinës, Halim Halimi se e ka penguar mbajtjen e një takimi me qytetarët në mjediset e Shkollës Fillore “Mitrush Kuteli” në lagjen Mati të kryeqytetit.

Vetëvendosje thonë se kanë pasur leje për këtë takim.

I këtij mendimi nuk është zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Asdren Osaj. Ai ka thënë se Vetëvendosje nuk ka pasur leje për të mbajtur këtë tubim elektoral. Osaj i thotë Vetëvendosje’s se “është turp të gënjesh”.

“Vetëvendosje, në mënyrën me të pa skrupullt gënjen opinionin kur thotë se ka pasur leje nga Komisioni Komunal Zgjedhor për të mbajtur tubim elektoral në shkollën e Matit”.

“KKZ ia ka konfirmuar Komunës se ky subjekt nuk ka pasur një leje të tillë, sepse sipas tyre ende nuk ka filluar fushata zgjedhore për balotazh, dhe se sipas ligjeve në fuqi nuk lejohet që një institucion edukativ të përdoret për fushat elektorale”.

“Spekulimet e dobëta të VV’së janë për keqardhje. Është turp të gënjesh”, ka thënë Asdren Osaj.