Vetëvendosje nxiti Nenad Rashiqin të bëhet me Serbinë në Supreme, i premton ministri?

Nenad Rashiq po mbron votat e kundërshtarëve të ashpër, Listës Serbe, duke ushtruar ankesë në Gjykatën Supreme për 3700 votat e tyre. Si e nxiti Lëvizja Vetëvendosje që ta poshtërojë veten deri në këtë masë?

Lajme

13/11/2019 18:38

Pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa [PZAP] për të mos numëruar rreth 3700 vota të komunitetit serb, rrodhën shumë zhvillime interesante politike.

Koalicioni Nisma-AKR me një vendim të tillë arrin ta kalojë pragun prej 5 për qind dhe të bëhet pjesë e Legjislaturës së VII të Kuvendit të Kosovës me 6 deputetë. Por, po i njëjti vendim do të ‘ngushtonte’ në Kuvend të gjitha partitë e tjera parlamentare.

Më e dëmtuara do të ishte Lëvizja Vetëvendosje. Kjo parti politike do t’i humbte dy deri në tri ulëse në Kuvend, dhe prandaj dje bëri një veprim të papritur e të pabesueshëm: U ankua në Gjykatën Supreme ani pse vetë e kishte kundërshtuar numërimin e këtyre votave dikur.

Megjithatë, për të ‘larë’ fytyrën paksa, Vetëvendosje përdori disa dredhi mjaft intriguese. Ankesën në Gjykatën Supreme nuk e bëri vetë Vetëvendosje, por tre kandidatë për deputetë që do të mbesnin jashtë Legijslaturës së VII [e natyrisht, ata nuk do të mbesnin jashtë sepse do të futeshin në Kuvend pas emërimit të ministrave e zv.ministrrave në Qeverinë Kurti].

Por, dredhia e fundit politike sa i përket këtij vendimi është bizare.

Nenad Rashiq, ish ministër në Qeverinë Thaçi, kreu ankesë po ashtu në Gjykatën Supreme duke dashur që ta shfuqizonte vendimin e PZAP-it duke e lënë Nisma-AKR-në pa prag dhe VV-në me dy-tre deputetë më shumë.

Burime të Periskopit marrin vesh se Rashiqit i është ofruar një pozitë e rëndësishme në Qeverinë Kurti nga vetë kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje. Vetë Kurti kishte vetëm fjalë të mira për ish ministrin serb, duke e quajtur të ndershëm e të respektueshëm.

Po ashtu Periskopi merr vesh se Rashiq  ka dorëzuar ankesën pas afatit dhe se ishte VV-ja e cila ka insituar  që të ja pranojnë ankesën.

Por, ku qëndron problemi?

Rashiq në fakt kishte qenë jashtëzakonisht i ashpër ndaj Listës Serbe, në veçanti gjatë viteve të fundit. Në fushatën e fundit ai i kishte sulmuar ata për intimidime e presione të shumta ndaj qytetarëve serbë nga Kosova që të votonin.

Në këto zgjedhje, Rashiq i mori vetëm 670 vota në mbarë Kosovën ose vetëm 0,079 për qind me koalicionin Slloboda.

Është e pabesueshme se si Rashiq do të avokonte për votat e Listës Serbe pas një humbjeje kaq turpëruese që e pasoi një garë tepër të pabarabartë e të ashpër me politikanët e kontrollura nga Beogradi.

Natyrisht, Rashiq nuk ka qenë asnjëherë i kontrolluar nga Beogradi por kësaj here ai është kapur nga Kurti – që ashtu siç përdori tre kandidatët për deputetë, po e përdorë edhe z.Rashiq për një pozitë ministrore.

Marrë parasysh përqindjen e marrë në zgjedhjet e 6 tetorit dhe trendin e tyre, del se Rashiq mund të ketë marrë vetëm 30 deri në 35 vota.