Të Infektuar: 57.028

Të Shëruar: 50.184

Të Vdekur: 1.433

Vetëvendosje e propozon Albin Kurtin si kandidat për kryeministër

18:17 | 14 Janar 2021

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, në praninë e 166 delegatëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka propozuar Albin Kurtin për kryeministër, nga ky subjekt politik.

Teksa ka thënë se shumica e qytetarëve po e mbështesin konceptin politik të LVV-së, ai ka shtuar se “Njerëzit tanë e duan luftimin e korrupsionit, populli don drejtësi, barazi e mirëqenie”.

“E lehtë kësaj radhe do të jetë vetëm fitorja, e vështirë është rruga e gjatë e transformimit të shtetit tonë”, shtoi ai.

Por para se ta propozonte Kurtin për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Konjufca thuri shumë lavde për të.

“Erdhi dita ta bëjmë një pyetje, kush është më meritori për këtë rrugëtim të Vetëvendosjes?

Kush nuk u lodh bash asnjë sekond duke ecur me Vetëvendosjen?

Në përplasje me pushtetin e korruptuar e nëpër burgje duke luftuar për drejtësi, ai që u tremb më së paku e që për vete nuk kërkon kurrë asgjë, kam nderin e rastin e veçantë ta prezentoj simbolin e Vetëvendosjes për kryeministër të ardhshëm të Republikës së Kosovës, Albin Kurtin”, tha ai ndër të tjera.

“Unë nuk jam veç aktivist në Vetëvendosje, jam edhe dëshmitar. Jam dëshmitar i Albin Kurtit një, i Albin Kurtit aktivist, jam dëshmitar i Albin Kurtit shok, jam dëshmitar i Albin Kurtit deputet dhe jam dëshmitar i Albin Kurtit kryeministër”, përfundoi Konjufca.