Vetëvendosje e gatshme për koalicion, gjatë javës takohet me krerët e LDK-së

19:03 | 9 Tetor 2019

Në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje doli subjekti më i votuar nga qytetarët e Kosovës.

Kandidati për kryeministër nga kjo parti, Albin Kurti pritet t’i bëj ftesë ndonjë subjekti tjetër politik në mënyrë që të forojmë qeverinë e re.

Në deklarimet e tij pas shpalljes së rezultateve nga KQZ-ja, Kurti tha se partia e parë që ai do t’i drejtohet është ajo e Isa Mustafës. Se një koalicion i mundshëm në mes të këtyre partive do të ndodhë, sot e ka konfirmuar Vjosa Osmani, e cila ishte bartëse e listës së LDK-së në zgjedhje.

Fatmire Kollçaku nga Vetëvendosje, i ka thënë lajmi.net se ditëve në vazhdim do të fillojnë bisedimet me zyrtarët më të lartë të Lidhjes Demokratike.

“Është e njohur ajo se çfarë ka deklaruar kryeministri, Albin Kurti që këto ditë do të fillojmë bisedimet me zyrtarët më të lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kjo është krejt ajo çfarë unë mund të deklarojë në këtë moment. Dihet se gjitha subjektet janë në pritje të përfundimit të numërimit mirëpo pasi  që ne e dimë tashmë se rezultati nuk ka mundësi të ndryshojë sa i përket asaj se kush është subjekti i parë në Republikën e Kosovës dhe më i votuar, është e qartë se neve na takon ta bëjmë ftesën. Do të bisedojmë me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën dhe zonjën Vjosa Osmani”, ka deklaruar Kollçaku.

Ajo ka theksuar se nuk ka nevojë që të pritet numërimi i votave me postë dhe kusht pasi rezultati tanimë është i ditur, duke shtuar se janë të interesuar të konsolidohet Kuvendi i Kosovës dhe të foromohet qeveria e re.

Vlen të theksohet se Vetëvendosje deri më tani nuk ka shprehur interesim për koalicion me ndonjë subjekt tjetër përpos LDK-së, përderisa për PDK-në kanë deklaruar vazhdimisht se kanë vija të kuqe. /Lajmi.net/