Vetëvendosje dyshon që AAK-ja nxiti dhunën në protestë?

Dhunën e përdorur në protestën e sotme, nuk e dënuan dy liderët opozitarë, Haradinaj dhe Limaj. Në Vetëvendosje, e cila dënoi sulmet ndaj bizneseve private, kanë dyshime se kjo dhunë vjen nga militantë të AAK-së, që vijnë nga rajoni i Dukagjinit.

Lajme

24/01/2015 18:55

Në kushte anonimiteti, burime brenda Vetëvendosjes, kanë deklaruar se protestuesit e dhunshëm kanë qenë militantë të AAK-së, të cilët kanë qenë të shtyrë politikisht dhe qëllimisht kanë dashur që protesta të eskaloj. 

“Kemi dyshime të bazuara, që protestës së organizuar nga nënat gjakovare dhe Vetëvendosje, qëllimshëm i është dhënë kjo kahje nga një parti e opozitës për ta degraduar si organizim, sepse ka elektorat më të madh në Gjakovë dhe po i frikësohet rritjes së Vetëvendosjes atje”, deklaron një anëtar i VV-së, duke mos dashur të identifikohet.

Thirrje për t’u distancuar nga dhuna e shpërfaqur në protestë, më herët ka bërë edhe presidentja e vendit, Atifete Jahjaga.