Vetëvendosje do ta shkatërrojë Kosovën, sikurse Xhon Turqit Perandorinë Osmane

Analisti politik, Daut Dauti, në një shkrim autorial të botuar në profilin e tij në Facebook, i ka bërë një krahasim interesant veprimeve aktuale të Lëvizjes Vetëvendosje, me ato Xhon Turqëve, lëvizje që luajti një rol vendimtar në rënien e Perandorisë Osmane.

Lajme

09/09/2015 15:01

Dauti thotë se Lëvizja Vetëvendosje, me veprimet e saj do të mund ta shkatërroj Kosovën, sikurse Xhon Turqit në shekullin XX, të cilët duke dashur që ta shpëtojnë Perandorinë nga sundimi autokrat i Sulltanin, e shkatërruan atë.

Komenti i plotë i Dautit:

Nëse VV vazhdon me trendin e saj, do ta sjellë veten dhe neve në një situatë më të vështirë se që jemi sot e që do të jetë e ngjashme me atë që u krijua në Ballkan në fillim të shekullit XX. 

Xhon Turqit (Jön Türkler) e shkatërruan Perandorinë Otomane duke dashur ta shpëtojnë nga sundimi autokrat i sulltanit. Pra, qëllimi ishte i mirë por masat e ndërmarra ishin joadekuate. Ideologët e kësaj lëvizje, shumica e tyre shqiptarë, krijuan një ideologji mjaft përparimtare. Por, krijimi i ideologjisë dhe zbatimi i saj në parktikë, që bëhet me procese politike, janë dy gjëra të ndryshme. Xhon Turqit krijuan ideologji, por jo edhe udhëheqës politik për implementimin e programit të arsyeshëm që kishin. Kjo ndikoi që lëvizja e tyre të kthehej kundër masave të gjëra të popujve të perandorisë. Dhe, rezultati dihet: procesi i shkatërrimit të perandorisë u shpejtua.

E njëjta gjë është duke ndodhur me Lëvizjen VV. Qëllimi i saj është shpëtimi i Kosovës dhe kjo është një gjë fisnike. Por, masat për zbatimin e qëllimit të VV janë xhon turke. Ata, pra Xhon Turqit tanë, nuk kanë prodhuar udhëheqës politik për zbatimin e programit. Albin Kurti, ish udhëheqësi dhe tani eminenca gri (éminence grise) i Lëvizjes VV, vazhdon të komunikojë me popullin në stilin ex katedra duke mos e patur parasysh se populli do udhëheqës e jo ligjërues akademikë. ‘Udhëheqësit’ tjerë të VV vazhdojnë të paraqiten secili ma megalomanë se tjetri duke harruar se kanë dalë para popullit për udhëheqje e jo për imponim të karakterit të tyre personal.

Xhon Turqit tanë apelojnë për pjesëmarrje në procese që në popull shihen si demonstrim i dhunës dhe shkatërrim i Kosovës. (Kjo mund të mos jetë e saktë por në këtë moment kjo është pamja që sheh populli në Kosovë dhe kjo gjë mbjellë frikë). Xhon Turqit tanë kërkojnë zhbërjen e proceseve për të cilat edhe vetë janë të bindur që nuk zhbëhen dhe propozojnë masa të cilat nuk arrihen dot në këtë moment.

Lëvizja VV, për fat të mirë tonin, ende vazhdon të jetë e vetmja parti politike jo oklokrate që kemi dhe si e tillë e interesuar për të ardhmen e vendit. Prandaj, meriton të kritikohet dhe të këshillohet për krijimin e një vije komunikuese të logjikshme me popullin. Duhet patur parasysh se në politikë më shumë bën punë elasticiteti se sa ngurtësia. Nëse VV vazhdon me trendin e saj, do ta sjellë veten dhe neve në një situatë më të vështirë se që jemi sot e që do të jetë e ngjashme me atë që u krijua në Ballkan në fillim të shekullit XX.