Veteranët e UÇK-së kërcënojnë me protestë

OVL e UÇK ka paralajmëruar protestë nëse në ditën e hënë, më 31 mars 2014, Projektligji për Veteranët e Luftës së UÇK-së nuk futet në rend të ditës në seancën e Kuvendit të Kosovës për votim.

Lajme

27/03/2014 13:52

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka kërkuar nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës, që të hënën në mbledhjen e saj, që  leximin e dytë të  projektligji ta vendos si pikë të parë të rendit të ditës për seancën e së enjtes së ardhshme. Ata kanë thënë për mes një komunikate se nëse një gjë e tillë nuk ndodh do fillojnë protesta.

“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka përcjell me vëmendje seancën e sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me këtë rast ne falënderojmë deputetët të cilët kishin sot vullnetin që të miratojnë Projektligjin për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ftojmë ata që ishin kundër që të reflektojnë për të mirën e atyre që sakrifikuan më së shumti për lirinë e Kosovës”.

“Ne i rikujtojmë ata që falë sakrificës së veteranëve të luftës së UÇK-së, ata e gëzojnë lirinë dhe benificionet që kanë”.

“Ne kërkojmë nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës, që ta vendos si pikë të parë në rend të ditës për seancën e radhës, leximin e dytë të Projektligjit për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

“Në rast se kërkesa jonë nuk miratohet nga Kryesia e Kuvendit të hënën me 31 mars 2014, dhe nëse ligji nuk futet në rend të ditës, që nga ora 13:00 të njëjtën ditë veteranët e luftës do të fillojnë protestat”, thuhet në këtë komunikatë”, thuhet në komunikatën e OVL UÇK-së.

Ligji për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i cili i mbron të drejtat e veteranëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre, është kërkuar për vite me radhë të hartohet dhe të miratohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Ky dokument është hartuar së fundmi dhe ka kaluar në leximin e parë në Kuvend derisa tani pritet leximi i dytë dhe hyrja në fuqi e tij.