Vetëm dy të arrestuar gjatë 24 orëve të fundit për mosrespektim të vendimit të qeverisë

Banorët e Kosovës edhe më tutje vazhdojnë të mos i respektojnë masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Lajme

01/06/2020 09:28

Qeveria e Kosovës ka marrë masa të caktuara për parandalimin e përhapjes së koronavirusit mirëpo, jo të gjithë qytetarët po i respektojnë këto vendime, shkruan lajmi.net.

Në krahasim me ditët e kaluara, numri i të arrestuarve është shumë më i ulët.

Sipas Policisë së Kosovës, vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar dy persona pasi që nuk respektuan vendimin e qeverisë.

Një person është arrestuar në Prishtinë për veprën “mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë”, dhe një tjetër në Vushtrri për veprën “përhapje e sëmundjeve ngjitëse”, raporton lajmi.net.

Më poshtë ju sjellim të dyja rastet në mënyrë të detajuar:

Mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë

Prishtinë 31.05.2020-04:15. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pronar i një kompanie për kryerjen e punimeve i cili nga njësiti policor është hasur duke kryer punime në kohën kur është e ndaluar me vendim të ministrisë së Shëndetësisë. Ndaj të dyshuarit është shqiptuar fletëparaqitje dhe iniciuar lënda e rastit mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë.

Përhapje e sëmundjeve ngjitëse 

Vushtrri 30.05.2020 – 22:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti nuk ka respektuar vendimin e Ministrisë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt. /Lajmi.net/