Vetëm Bllaca nga shokët vuan dënimin për vrasje

Pjesëmarrësi në vrasje të pasluftës, Nazim Bllaca, është i vetmi që është duke vuajtur dënim në burg, në mesin e të akuzuarve të tjerë. 

Lajme

13/09/2014 09:23

Nazim Bllaca është dënuar më vonë se shokët e tij, por i pari ka nisur ta vuajë dënimin.

Vrasësit e Ibush Kllokoqit në bashkëkryerje me Bllacën dhe vrasësit në tentativë të Adem Salihajt nuk janë dërguar në vuajtje të dënimit ende.

Gjykata Themelore e Prishtinës është arsyetuar se EULEX-i nuk e ka dërguar lëndën e tyre ende për ekzekutim, ndërsa EULEX-i arsyetohet se ankesa e tyre në Gjykatën Kushtetuese po e vonon procesin, e në Kushtetuese thonë se nuk ka parashtresë të të dënuarve në rastin Bllaca.

Kësisoj, vetëm njeriu që kishte guxuar të denonconte krimet është dërguar në burg, ndërsa bashkëveprimtarët tjerë, ende jo.

Në mars të këtij viti Gjykata e Apelit ka vërtetuar krimet e kryera nga Shpresim Uka, Sadik Abazi, Shaban Syla, Besim Syla e Driton Hajdari. Ata janë dënuar me 54 vjet burgim për vrasje të rëndë në tentativë të Adem Salihajt.

Shpresim Uka e Bekim Syla janë në arrati. Por, asnjëri prej tyre nuk ka nisur vuajtjen e dënimit për krimet e kryera si anëtarë të Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), për arsye të pasqaruara nga gjyqësori. (Koha Ditore)