Veseli: Vitin e ardhshëm ndërtohet qendra e re rinore në Prizren 

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nga radhët e PDK-së, Kujtim Gashi dhe nga kandidati për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, kanë vizituar ansamblin “Lidhja e Prizrenit”.

Lajme

08/11/2017 16:19

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli i ka siguruar të rinjtë e Prizrenit se tashmë është planifikuar edhe me buxhetin e vitit të ardhshëm që të ndërtohet një qendër e re rinore në Prizren si dhe projekte të rëndësishme në fushën e kulturës dhe sportit.

“Ministria e Kulturës e cila tashmë ndodhet në Prizren, ka filluar të japë efektet e para ku qyteti historik i shqiptarëve të zhvillohet dhe të bëhet edhe qendër e zhvillimit ekonomik dhe ndërmarrësisë. Në katër vitet e ardhshme qeverisja jonë në Prizren me Shaqir Totajn kryetar, do të realizoj shumë projekte të rëndësishme të cilat do të ndikojnë në zhvillimin e Komunës së Prizrenit dhe në hapjen e vendeve të reja të punës”, tha Veseli.

Kandidati për kryetar të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, i ka siguruar të rinjtë prizrenas se do të jetë afër tyre duke mbështetur çdo ide të tyre për të zhvilluar projekte të rëndësishme që mbështesin kulturën, rininë dhe sportin./Lajmi.net/