Veseli vazhdon takimet me ligjvënësit britanik

Agjenda e takimeve të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në Britaninë e Madhe, ka vazhduar me pritjen që atij i ishte rezervuar në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit britanik.

Lajme

08/06/2016 11:37

Në takimin me dy anëtarët e këtij Komisioni, Mike Gapes dhe Stephen Gethins, u bisedua për zhvillimet aktuale në vendin tonë, arritjet e Kosovës në procesin e fuqizimit të pozitës së saj në arenën ndërkombëtare, angazhimet për anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara, aderimin në institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, si dhe për perspektivën euro-atlantike të vendit tonë.

Veseli falënderoi ligjvënësit britanikë për mbështetjen që Britania e Madhe, si vend mik, i ka dhënë dhe po i jep Kosovës në të gjitha këto aspekte, duke theksuar nevojën që kjo përkrahje të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Në takim, u bisedua gjithashtu edhe për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit midis dy parlamenteve dhe komisioneve homologe.

2016_06_08_Gethins_1

Më pas, Veseli mori pjesë në tryezën me anëtarë të IPU-së dhe Grupit Parlamentar Britanik në Këshillin e Evropës, të kryesuar nga Nigel Evans dhe Sir Roger Gale. Kryetari Veseli theksoi se mirëpret përkrahjen e Britanisë së Madhe për anëtarësimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës në Unionin e Parlamenteve Ndërkombëtare, Këshillin e Evropës, si dhe në organizatat tjera që përfaqësohet nga parlamentet.

Po ashtu, Veseli ka takuar edhe Lordin George Robertson, me të cilin ka diskutuar për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit në mes të Britanisë së Madhe dhe Republikës së Kosovës. Kryetari Veseli theksoi se rol të veçantë në thellimin e këtij bashkëpunimi kanë miqtë e dëshmuar të Kosovës. /lajmi.net