Veseli u tërhoq, Qeveria mohon se do të ketë Projekt-Ligj për shfuqizimin e Speciales…

Qeveria e Kosovës nuk ka qenë e qartë se si do të veprojë lidhur më shfuqizimin e Gjykatës Speciale, pas tërheqjes nga një gjë e tillë nga ana e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Lajme

09/01/2018 14:35

Ekzekutivi në pyetjen e dërguar nga lajmi.net se a do të vazhdojë Qeveria e Kosovës nismën për shfuqizimin e saj, kanë thënë se kjo nismë ka qenë e deputetëve.

“Qeveria e Kosovës nuk e ka ndërmarrë një nismë për Dhomat e Specializuara. Ka qenë nisma e deputetëve të Kuvendit të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit.

Ndërsa, lidhur me mundësinë që qeveria ta sponsorizoj një Projekt-Ligj për shfuqizimin e Speciales, ashtu siç ka paralajmëruar deputeti Albin Kurti të shtunën gjatë takimeve me ambasadorët huaj në Kosovë, në qeveri kanë thënë: “Nga kush është thënë? Pyeteni atë që e ka thënë”.

Kryetari i Kuvendi të Kosovës, Kadri Veseli të hënën me anë të një letre publike ka thënë se Gjykata Speciale sa do që e padrejtë për Kosovën ajo duhet vazhduar.

Veseli në këtë letër duke kujtuar natën e 22 dhjetorit, në të cilin u thirr një mbledhje e jashtëzakonshme  e Kryesisë së Kuvendit për të shqyrtuar nismën e disa deputetëve për shfuqizimin e Speciales, ka thënë se ishte një natë e pazakontë, dhe iniciuesit e kësaj nuk kishin parasysh edhe reaksionet kundër.

Letrën Veselit nuk e ka komentuar as vet kryeministri Haradinaj. Ai gjatë ditës së sotme ka përsëritur qëndrimin e partisë së tij, AAK-së, se janë kundër kësaj gjykate.

Nisma për shfuqizimin e Gjykatës Speciale u kundërshtua shumë nga faktori ndërkombëtarë. Madje në reagimet e tyre, ata qartë kanë paralajmëruar për mundësinë e izolimit të Kosovës, dhe prishjen e raporteve mes tyre dhe Kosovës, nëse Gjykata Speciale shfuqizohet.

Më 3 gusht të vitit 2015, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar ndryshimet Kushtetuese për formimin e Gjykatës Speciale, e cila do të hetojë si të dyshuar për krime lufte disa nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës./Lajmi.net/

Lexoni edhe:

Kadri Veseli pro Gjykatës Speciale, godet edhe partnerët e koalicionit