Veseli takon studentë kosovarë në Japoni

Gjatë qëndrimit në Japoni, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, takoi edhe komunitetin shqiptar që jeton dhe vepron në Tokio.

Lajme

17/03/2019 20:59

Kryeparlamentari Veseli tha se Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm të të rinjve që kanë interesim për studime jashtë vendit, dhe më pas këto njohuri që I fitojnë sidomos në Japoni t’i zbatojnë në Republikën e Kosovës.

“Jam këtu me dy studentë të arkitekturës të cilët me vetiniciativë dhe sukses kanë arritur të vijnë në Japoni, të studiojnë. Po tregojnë suksese, janë para përfundimit dhe kjo vërtetë më bënë krenar që kemi të rinj kaq të talentuar, që avancojnë anekënd botës duke e përfaqësuar me dinjitet edhe shtetin e Kosovës”, tha kryeparlamentari Veseli për televizionin publik.

Dastid Ferati, jeton dhe vepron në Japoni. Ai ka gjashtë vjet që është duke punuar në doktoraturë. Ai tha se pas përfundimit të doktoratës, mendon të kthehet në Kosovës për të dhënë maksimumin për shtetin e tij.

Ndërkaq, Besian Hajrullahu që është nga Lipjani, ka disa vjet që vepron në Azi.

Ai njeh gjashtë gjuhë përfshirë kinezishten dhe japonishten. Pas përfundimit të studimeve edhe Besiani mendon të kthehet në Kosovë.

Ndërkaq, Dea Luma e cila studion për arkitekturë, thotë se fusha e saj është diçka e re edhe për Japoninë. Ndërkohë që shpreson se pasi të përfitojë dijen në Japoni, mendon që t’i kthehet Kosovës për të shpërndarë njohuritë e saj.

Përveç, studentëve edhe Miki Haxhi-Islami ka vendosur që ta kalojë jetën në Japoni.

Ai është I martuar dhe ka një fëmijë me bashkëshorten e tij japoneze. Haxhi-islami thotë se gjatë rrugëtimit të tij jetësor nëpër diasporë, ka vendosur që ta përzgjedhë Tokion si vendin për ta kaluar jetën, por asnjëherë duke mos e harruar Kosovën.

Kryeparlamentari Kadri Veseli, studentëve kosovarë që jetojnë në Tokio, u ka premtuar që Kosova do të bëjë të pamundurën që kuadrove të tilla t’u ofrojë mundësi në Kosovë.

YouTube player