Veseli: Qeveria e re do të jetë vazhdim i mashtrimit të qytetarëve që ua bënë VV e LDK

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë seancën e sotme se Vetëvendosje dhe LDK i mashtruan qytetarët e Kosovës duke ju ofruar shpresë e në anën tjetër për 100 ditë qeverisje degraduan çdo të arritur të shetit në 20 vite liri duke shkaktuar rrezik ncional për vendin.

Lajme

03/06/2020 12:49

Lideri i PDK-së tha se Albin Kurti po ikë prej vetes, jo prej të tjerëve, por e ka dëmtuar rëndë Kosovën dhe këtë, qytetarët do ta përjetojnë në shtëpitë e tyre shumë shpejt.

“Dilemat që ka hapur brenda – me nxitjen e urrejtjes dhe dëshirën për revansh, janë minore përballë dilemave që ka hapur me garantuesit e ekzistencës sonë fizike dhe shtetërore,  me miqtë tradicionalë të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky është një dëm i pallogaritshëm politik që i është bërë vendit nga ideologjia anti-amerikane e Kryeministrit, ashtu si dhe nga sjellja e tij qyqare përballë Serbisë”, tha Veseli.

Ai tha se në këto 100 ditë, Kosova u qeveris nga një mendësi e paranojave, që shpik armiq në shtëpinë e vet, që shpik armiq në shtëpitë e miqve më të mirë të Kosovës.

“Ideja e përfitimit me çdo kusht, çdo herë sjell humbjen pa kusht. Kjo po i ndodh edhe sot Albin Kurtit. Kjo do t’i ndodhë edhe Avdullah Hotit, i cili është kopje jo origjinale e këtij mashtrimi”, tha Veseli.

Ai tha se votimi që do të ndodhë sot është vazhdimësi mashtrimi dhe Partia Demokratike e Kosovës nuk do ta votojë qeverinë e re.

“Nuk jemi me VV-në. As nuk do të jemi me LDK-në. Nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë pazare me mua dhe me PDK-në për pushtet”, tha ai.

“Unë e kam nisur një rrugë dhe e kam një qëllim, që do ta çoj deri në fund. Unë besoj në këtë vend. Besoj në njerëzit e mirë dhe të zotë të këtij vendi për të bërë ndryshime të mëdha.
Kriminelëve, të korruptuarve dhe mashtruesve do t’u vijë fundi, ndërsa rendit, ligjit, të drejtit dhe punëtorit do t’i vijë çasti. Kjo është e domosdoshme, e pashmangshme dhe këtë nuk do të mund ta ndalë askush”, tha Veseli.

Fjalimi i plotë i kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli:

Të dashur qytetarë,

Shumë nga ju, sot mund ta bëni një pyetje:

Pse jemi këtu tani?

Dhe, si u bë që pas gjithë atyre premtimeve, që i shkrepën me aq zhurmë, pas 6 tetorit të shembet gjithçka në më pak se 50 ditë?

Atë që e quajtën shpresë, e kthyen në një mashtrim të madh dhe të paparë.

Të dashur qytetarë,

Kjo është një kohë kur në vendin tonë mashtrimi dhe urrejtja janë instaluar si standard në politikë, që manipulimi është bërë mjet i frikshëm i përfitimit, ndërsa dyfytyrësia normë veprimi.

Të korruptuarit flasin për ndershmëri, e dhunuesit për ligj.

Urtësia merret për ligësi, e agresiviteti për virtyt.
Flasin për varfri, por të varfër nuk janë.
Flasin për papunësi, por të papunë nuk janë.

Flasin për oligarkë, por me oligarkët janë miq.

Ata që munguan në historinë tonë të re, flasin për një çlirim të ri. Mohojnë gjithçka dhe akuzojnë secilin. Sipas tyre, 20 vjet liri janë vite të zeza të Kosovës.

Por, nuk dimë cilat janë vitet e bardha në Kosovë, që ata i marrin si referencë?

Çdo gjë vënë në dyshim. Historinë, të tashmen dhe të ardhmen. Përcaktimin për shtetin. Të gjitha vlerat dhe çdo të arritur.

Vënë në pikëpyetje edhe partneritetet tradicionale ndërkombëtare.

Dhe, flasin për një utopi bolshevike, që Evropën e tronditi për 45 vjet.

Të dashur qytetarë,

Pas 20 vjet lirie, këto dilema, kjo urrejtje dhe ky mohim, brenda dhe jashtë, janë rrezik nacional.

Ato nuk e rrezikojnë vetëm pushtetin e dikujt, fatin politik të individëve ose partive.

Por, rrezikojnë qenësisht ekzistencën tonë si shtet, sovranitetin, territorin, vetë fatin jetësor të njerëzve të Kosovës, të rinj e patriotë.

E kanë kthyer Kosovën në arenë të tyre mashtrimi.

Por… Kosova shtet – nuk është dhe nuk ka qenë asnjëherë vatër e rrezikimit të Evropës, as për krim, as për korrupsion dhe as për terrorizëm.

Kosova shtet – është sinonim i paqes, stabilitetit dhe tolerancës.

Kosova për 20 vjet nuk e arriti Evropën e zhvilluar, as si standard jetese, as si zhvillim, por nuk mbetëm aspak prapa Ballkanit ku jemi.

Jemi shteti i fundit i liruar në Evropë, por ende mbetemi shteti më i izoluar.

Të gjithë duam më mirë dhe më shumë për vendin.

Por, e mira nuk vjen prej fjalëve dhe punëve të këqija.

Aq më pak, me politika qeverisëse si këta tre muajt e fundit, që premtuan shpresë e parajsë, por sollën dëshpërim e varfëri për qytetarët.

Në kohën më të rëndë të pandemisë dhe pasigurisë ekonomike, kur ishte i domosdoshëm bashkëpunimi, Kryeministrit i doli punë me të gjithë dhe i shpërfilli të gjithë.

Nuk pranoi përkrahjen ligjore që ia ofruam në Kuvend, por shpërdoroi jashtëligjshëm paranë e shtetit dhe goditi pa mëshirë biznesin privat.

Bllokoi investimet publike, që së bashku me remitencat e zvogëluara të bashkatdhetarëve, dobësuan konsumin dhe rrezikuan qarkullimin e parasë në treg.

Nga fundi i vitit, nëse nuk sanohet gjendja shpejt, do ta shohim falimentimin e qindra kompanive private, e me këtë – edhe humbjen e mijëra vendeve të punës dhe pagave në sektorin privat dhe publik.

Në të ardhmen, Kosova do t’i humbë qindra miliona euro, vetëm për shkak të vendimeve të gabuara të kësaj Qeverie.

Kjo do të jetë gjakderdhja financiare më e madhe dhe më tragjike e Kosovës në 20 vjet, si produkt i qeverisjes 100-ditëshe të Albin Kurtit.

Si paradoks konfirmimi, edhe me planin afatmesëm të shpenzimeve të kësaj Qeverie, që e quante vetën shpresë, viti 2022 e parasheh Kosovën e zhvillimit të vitit 2019.

A ky ishte premtimi i tyre për shpresë e parajsë?

Nuk qeveriset Kosova me mashtrime, pa politika ekonomike, e me njerëz të diskredituar.

Nuk lihen pa mbështetje në kohën më të rëndë të tyre punëtorët dhe ndërmarrësit privatë dhe nuk rrezikohen pagat e shërbyeseve publikë.

Albin Kurti po ikë prej vetes, jo prej të tjerëve, por e ka dëmtuar rëndë Kosovën.

Këtë, qytetarët do ta përjetojnë në shtëpitë e tyre shumë shpejt.

Dilemat që ka hapur brenda – me nxitjen e urrejtjes dhe dëshirën për revansh, janë minore përballë dilemave që ka hapur me garantuesit e ekzistencës sonë fizike dhe shtetërore,  me miqtë tradicionalë të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky është një dëm i pallogaritshëm politik që i është bërë vendit nga ideologjia anti-amerikane e Kryeministrit, ashtu si dhe nga sjellja e tij qyqare përballë Serbisë.

Në këto 100 ditë, Kosova u qeveris nga një mendësi e paranojave, që shpik armiq në shtëpinë e vet, që shpik armiq në shtëpitë e miqve më të mirë të Kosovës.

Ideja e përfitimit me çdo kusht, çdo herë sjell humbjen pa kusht. Kjo po i ndodh edhe sot Albin Kurtit.

Kjo do t’i ndodhë edhe Avdullah Hotit, i cili është kopje jo origjinale e këtij mashtrimi.

Do ta bëjë edhe më të rëndë situatën në vend.

LDK, kur nuk ka qenë në pushtet – gjithmonë ka ndihmuar rrënimin, ndërsa kur është në pushtet – kurrë nuk merr përgjegjësitë që i takojnë.

Pastaj, këto koalicionet, qoftë ai paraprak, qoftë ky aktual, kur dëgjon fyerjet mes tyre dhe bashkimet më pas, nuk mund të mos pyesësh: A ka mbetur pak nder e moral te këta njerëz?

Të dashur qytetarë.
Ky soj nuk ju ndihmon as juve dhe as Kosovës.

Përkundrazi. Ju rrezikon juve dhe Kosovën.

Kosova ka nevojë t’i kthehet agjendës së rimëkëmbjes nacionale.

Votimi që do të ndodhë sot është vazhdimësi mashtrimi.

Partia Demokratike e Kosovës nuk do ta votojë këtë Qeveri.

Nuk jemi me VV-në. As nuk do të jemi me LDK-në.

Nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë pazare me mua dhe me PDK-në për pushtet.

E njoh lojën politike dhe i dalloj mirë strategjitë e përfitimit abuzues në politikë.

Por, nuk i pranoj, edhe sikur të ma japin tërë pushtetin e mundshëm.

Sepse, është mashtrim.

Unë e kam nisur një rrugë dhe e kam një qëllim, që do ta çoj deri në fund.

Unë besoj në këtë vend. Besoj në njerëzit e mirë dhe të zotë të këtij vendi për të bërë ndryshime të mëdha.

Kriminelëve, të korruptuarve dhe mashtruesve do t’u vijë fundi, ndërsa rendit, ligjit, të drejtit dhe punëtorit do t’i vijë çasti.

Kjo është e domosdoshme, e pashmangshme dhe këtë nuk do të mund ta ndalë askush. /Lajmi.net/