Veseli pret qytetarët për Ditën e Demokracisë

Nën moton “Pjesëmarrja“, për të 11-in vit me radhë, Kuvendi i Republikës së Kosovës shënon Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.

Lajme

15/09/2019 23:04

Sipas një njoftimi nga Kuvendi, të hënën, 16 shtator, do të hapen dyert për qytetarët e Kosovës për të shënuar këtë ditë për herë të 11-të rresht.

Organizimi për Ditën e Demokracisë do të bëhet nën moton “Pjesëmarrja”, ka njoftuar Drejtoria për Media e Kuvendit.

Duke filluar në orën 9:30, qytetarë, studentë dhe nxënës do të mund të vizitojnë ndërtesën e legjislativit të vendit dhe të njihen me punën e deputetëve. Dyert do të hapen në orën 9:30, ndërsa sipas njoftimit, aktivitetet do të zgjasin deri në orën 15.

Në agjendë thuhet se mysafirët do të priten në hollin e Kuvendit nga Kadri Veseli. Do të bëhet prezantimi i uebfaqes së re të Kuvendit, do të ketë ekspozitë me temën “Pjesëmarrja”, do të bëhet hapja e panairit të organizatave të shoqërisë civile, do të ketë kuiz të demokracisë e debat publik për “Transparencën dhe pjesëmarrjen qytetare në Kuvend”.