Veseli për Ditën e Kushtetutës: Ky dokument është aty për të na mbrojtur nga despotët

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se miratimi i Kushtetutës së Kosovës 12 vite më parë, shënoi një moment të rëndësishëm historik për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës.

Lajme

09/04/2020 11:27

Ai në ditën e Kushtetutës shkruan se ky dokument është themeltar për shtetin, transmeton lajmi.net.

“Miratimi i Kushtetutës së Kosovës 12 vite më parë, shënoi një moment të rëndësishëm historik për konsolidimin e shtetësisë sonë si dhe për të ardhmen e popullit tonë. Ne krenohemi që kemi një ndër kushtetutat më moderne, e cila ka mishëruar praktikat më të avancuara dhe standardet më të larta në Evropë. Ky dokument themeltar i shtetit tonë, bazohet tek parimi i konstitucionalizmit, një ide evropiane që zanafillën e ka në epokën e iluministëve, të cilët nëpërmjet këtij parimi u përpoqën dhe ia dolën me sukses të kufizonin absolutizmin monarkik”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Mes tjerash ai thotë, se “Në thelb të konstitucionalizmit qëndron kontrolli dhe kufizimi i pushtetit, përcaktimi i ndarjes së pushteteve si dhe mbrojtja e të drejtave themelore të njeriut. Prandaj duhet kujtuar ky fakt, sot e në të ardhmen, ndaj kujtdo që manifeston tendenca despotike e autokratike që synojnë ta shkelin sundimin e ligjit në Kosovë. Urime të gjithëve për 9 prillin, Ditën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës!” /Lajmi.net/

https://www.facebook.com/kadriveseliofficial/posts/1556170401224827