Veseli, pasardhësi i Thaçit në PDK

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli synon që ta marrë udhëheqjen e PDK-së, nëse lideri aktual i kësaj partie, Hashim Thaçi, bëhet president në vitin 2016.

Lajme

13/01/2015 08:40

Marrëveshje e qeverisjes mes koalicionit PDK-LDK ka edhe pikën ku dy partnerët e koalicionit janë zotuar se në vitin 2016 do të mbështesin Hashim Thaçin për kandidat për president.

“Në momentin që Thaçi do të bëhej president, posti i kryetarit të partisë së tij do t’i takojë dikujt tjetër. E ai dikush tjetër është Kadri Veseli, pretenduesi kryesor, që është edhe zëvendësi i parë i partisë dhe kryetar i Kuvendit”, ka thënë për Zëri, ish-deputeti i PDK-së, Berat Buzhala.

Sipas tij, kryetari aktual i PDK-së, Thaçi, ndonëse është më i fuqishëm në elektorat sesa Veseli, megjithatë PDK-ja nuk do të arrinte të dilte supbejti i parë politik pa Kadri Veselin.

Ndërkaq, nënkrytari i PDK-së, Hajredin Kuçi ka thënë për gazetën se “ende është herët të dihet, por çdo gjë do të shkojë sipas procedurave të brendshme të PDK-së dhe në mënyrë demokratike”.

Njëjtë sikurse edhe Kuçi, edhe anëtari tjetër i kësaj partie, Fatmir Xhelili, ka vlerësuar se është ende herët të flitet për këtë çështje.

“Është herët të flasim për këtë temë. Ta presim vitin 2016”, ka thënë ai, shkruan sot Zëri.