Veseli – opozitës: Iniciativa për Tribunalin nuk do të ndalet, kthehuni në Kuvend

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, u ka bërë thirrje deputetëve të opozitës që të lënë anash inatet politike e ta mbështesin iniciativën për formimin e Tribunalit për gjenocidin dhe krimet serbe në Kosovë.

Lajme

20/05/2019 14:20

Në përfundim të debatit parlamentar, Kryeparlamentari Veseli, i ka siguruar të gjithë se Tribuunali do të ndodhë, përcjell lajmi.net.

“Unë kam këtë thirrje për vëllezërit tanë të opozitës nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje. Është mirë me qenë në sallë kur të votohet. Kjo do të votohet. Por është mirë që edhe ata të jenë në sallë dhe ta votojmë bashkërisht. Ju kam thirr dhe t’u thërras çdo herë kurdo që të kërkoni. Nëse jeni hidhëruar pse e kam filluar unë këtë iniciativë, unë jam i gatshëm t’ia bëjmë si të doni. Por, ajo çka është kryesore, është që duhet me votu”, tha Veseli.

Veseli i ka siguruar edhe familjarët e të pagjeturve dhe viktimave të gjenocidit serb në Kosovë se iniciativa për Tribunalin do të shkojë deri në fund dhe kriminelët serbë do të dalin para drejtësisë.

“Sot në Kuvend nuk është dashur të ketë parti politike, sepse kur janë vrarë qytetarët tanë, Serbia nuk i ka ndarë njerëzit tanë në parti. Sot pavarësisht çdo interesi apo inati, është dashur të ketë vendim të mençur, të matur me qëllim vetëm të ardhmen. Kjo iniciativë nuk do të ndalet. As që mund ta ndalë dikush. Për familjarët që sot janë në sallë por edhe për gjithë ata familjarë që kanë pësuar gjatë luftës së fundit dhe gjitha luftërave që janë bërë në Kosovë, e kam këtë mesazh: Mos u shqetësoni, edhe kjo edhe kjo çfarë ka ndodhur sot, besoni është pasojë e vet asaj çfarë ka kaluar populli jonë. Ju si familjarë, duhet ta dini se zëri juaj do të dëgjohet jo vetëm këtu në Kosovë, por edhe në Kongresin Amerikan, edhe në Bundestagun gjerman dhe në çdo parlament të vendeve demokratike ku i thuhet jo mohimit të gjenocidit të krimeve kundër njerëzimit”, tha Veseli.​ /Lajmi.net/