Veseli: Opozita nga Kuvendi po synon nisjen e Revulucionit (Video)

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, pa prezencën e përfaqësuesve të opozitës, të cilët edhe kësaj radhe e kanë bojkotuar atë, ka vendosur që nesër nga ora 10:00 të mbahet seanca parlamentare e radhës.

Lajme

14/10/2015 11:26

Kryetari Kadri Veseli, duke folur për situatën aktuale ku deputetët e opozitës po tentojnë të bllokojnë punën e Kuvendit, ka thënë se një muaj që seancat nuk po mund të mbahen ashtu siç duhet, raporton lajmi.net.

Ai ka thënë se ajo çfarë po ndodh nuk është për fajin e Kuvendit, dhe se ky institucion po abuzohet duke mos u lejuar që të ketë debat dhe diskutime për çështje që janë me interes për vendin.

Sipas kryetarit Veseli, vendi është duke u futur në një krizë, ku opozita përmes Kuvendit po synon ta nisë një lëvizje të madhe, apo revulucion.

Veseli ka thënë se si kryetar është munduar ta respektoj Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se dhuna në Kuvend është e papranueshme dhe se duhet të zhbllokohet puna e këtij institucioni.

Ai ka kerkuar që Kryetari Veseli në bazë të kompetencave të tij të marrë masa për sigurinë e deputetëve.

“Përpjekja që të bllokohet jeta institucionale është e papranueshme për ne”.

“Gatishmëria për të debatuar në televizione e jo në Kuvend nga ana e opozitës, tregon se këtu ka hile, hipokrizi dhe qëllime të tjera”, ka thënë Beqiri.

Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka kërkuar përmbajtje, që të mos bihet në grackën dhunë nxitëse të opozitës. Ai ka thënë se veprimet që po bëhen nga deputetët opozitarë, janë tentativa që të dilet në rrugë dhe të sillen sikur patriotë.

Ndërsa, kryetari Veseli, ka mohuar akuzat se po friksohet dhe se nuk po vepron si Kryetar.

Ai ka vazhduar debatin me shefin e grupit parlamentar të LDK-së, dhe më pas e ka pyetur atë dhe anëtarët tjerë të kryesisë, se për cilat pika të rregullores e kanë fjalën kur thonë se nuk është duke i respektuar ato.

Në këtë rast Beqiri ka thënë se në Kuvend është regjistruar rasti ku deputetët kanë hyrë në sallë me armë, dhe në këtë pikë sipas tij duhet respektuar rregullorja e punës së Kuvendit.  /lajmi.net

YouTube player