Veseli: Në dialog, Kosova duhet të jetë më e fortë përballë Serbisë

Ka përfunduar takimi i thirrur nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli për harmonizim të qëndrimeve rreth rezolutës për dialogun me Serbinë.

Lajme

11/10/2018 13:01

Në këtë takim nga partitë opozitare morën pjesë Dardan Sejdiu nga PSD dhe Mimoza Kusari nga Alternativa.

Këtë takim Veseli e ka quajtur  tejet konstruktiv, duke shtuar se janë pajtuar që të arrijnë një konsensus për integritetin territorial të Kosovës, raporton lajmi.net.

“U takuam me disa nga koleget e opozitës në përpjekjen për të ndërtuar një konsensus për integritetin territorial të Kosovës. Kemi pas takim shumë konstruktiv. Sot kemi qenë bashkë për të forcuar pozicionin e Kosovës në dialog” ka thënë Veseli.

Veseli po ashtu ka thënë se Kosova nuk duhet t’i lejoj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq që të tregoj lidership më shumë se në partneritet me ndërkombëtarët.

Ai ka theksuar se kjo rezolutë është e hapur prandaj mund të futet çdo gjë që është e rëndësishme.

Tutje, Veseli ka ftuar dy partitë tjera opozitare LDK-në dhe VV-në që të bashkohen për të arritur një konsensus nacional që Kosova të jetë, siç thotë ai më e fortë përballë Serbisë në dialog.

I pyetur se a ka pasur tensione në takimin me PSD-në dhe Alternativën, Veseli ka thënë se takimi ka qenë shumë korrekt dhe pa tensione.

“Ne u pajtuam që të kemi një qëndrim në raport me Serbinë, jo asociacion me kompetencë” ka thënë Veseli.

“Ndoshta dikush mund të mendoj se do të përfitoj por kështu Kosova po dëmtohet. Edhe liberalizimi i vizave varet nga kjo situatë edhe shumë procese tjera integruese. Është momenti të ulemi bashkërisht dhe ta zgjidhim këtë çështje, nuk shkon me inat, revoltë e frustrim. Nëse ke probleme të brendshme nuk duhet me i bartë ose shfaq ato jashtë”, ka përfunduar i pari i Kuvendit. /Lajmi.net/