Veseli: Masakra e Rezallës, tjetër dëshmi e gjenocidit serb – drejtësia ndërkombëtare ende nuk i ndëshkoi kryerësit e saj

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, ka përkujtuar Masakrën e Rezallës.

Lajme

05/04/2020 13:18

Në 21-vjetorin e Masakrës së Rezallës, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka thënë se kjo masakër është një tjetër dëshmi e gjenocidit serb në Kosovë, shkruan lajmi.net.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Veseli ka shkruar se, pavarësisht fakteve që shteti serb ka kryer gjenocid në Kosovë, drejtësia ndërkombëtare po vazhdon të mos i dënoj siç tha ai, xhelatët që e shkaktuan këtë gjenocid, shkruan lajmi.net.

“Trupat e një pjese prej viktimave të kësaj masakre u gjendën në vitin 2014 në një varrezë masive në Rudnicë të Serbisë. Serbia, ende na fsheh fatin dhe trupat e mbi 1600 civilëve tanë, prandaj kemi mjaft arsye që të tregohemi të kujdesshëm e dyshues ndaj këtij shteti”, ka shkruar Veseli ndër të tjerash.

Postimi i plotë i Veselit, pa ndërhyrje:

Masakra e Rezallës, kryer mizorisht 21 vjet më parë, është një tjetër dëshmi e gjenocidit të shtetit serb që njollos ndërgjegjen e drejtësisë ndërkombëtare e cila ende toleron pandëshkueshmërinë e xhelatëve që e shkaktuan.

Trupat e një pjese prej viktimave të kësaj masakre u gjendën në vitin 2014 në një varrezë masive në Rudnice të Serbisë. Serbia, ende na fsheh fatin dhe trupat e mbi 1600 civilëve tanë, prandaj kemi mjaft arsye që të tregohemi të kujdesshëm e dyshues ndaj këtij shteti.

Kjo vlen veçanërisht si kujtesë ndaj qeverisë në ikje e cila po flirton me Beogradin duke lejuar futjen në Kosovë të strukturave “humanitare” të dërguara prej këtij shteti.

Gjaku i martirëve te masakres së Rezalles është edhe një dëshmi që ne nuk duhet të lejojmë të devijojmë nga qëllimi ynë i përbashkët për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës. /Lajmi.net/