Veseli: Italia në krah të Kosovës në rrugën drejt integrimeve euro-atlantike

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim Presidenten e Senatit të Italisë, Maria Elisabetta Alberti Casellati, me të cilën biseduan për zhvillimet politike, perspektivën evropiane të Kosovës dhe në mënyrë të veçantë, për marrëdhëniet bilaterale të cilat ekzistojnë midis dy vendeve dhe parlamenteve respektive.

Lajme

01/05/2018 17:34

Duke e falënderuar znj. Casellati për vizitën e saj të parë në Kosovë pas marrjes së detyrës së re, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se Republika e Kosovës i konsideron vlerë të veçantë raportet shumë të mira që ka ndërtuar me shtetin italian. Ai tha se këto raporte kanë ndikim pozitiv në rrugën e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike.

Kryeparlamentari Veseli e ka informuar znj. Casellati se Kosova i ka plotësuar tashmë të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe është në prag të marrjes së vendimit pozitiv nga ana e BE-së, ndërsa siç tha ai, në këtë proces, qëndrimi i Italisë është shumë i rëndësishëm, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të Kuvendit.

Nga ana e saj, Presidentja e Senatit të Italisë, Maria Elisabetta Alberti Casellati, tha se Italia e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimeve euro- atlantike, transmeton lajmi.net.

Kryetarja e Senatit italian tha se përpos bashkëpunimit politik dhe atë në fushën e sigurisë, Italia do ta mbështesë Kosovën edhe më shumë në fushën ekonomisë.

“Unë do të jem zëri i Kosovës tek korporatat e mëdha italiane që të vijnë e të investojnë në Kosovë”, tha ajo.

Kryesenatorja italiane, Maria Elisabetta Alberti Casellati, nga ana e saj, pasi shprehu kënaqësinë për të arriturat e Kosovës, konfirmoi mbështetjen e plotë të Italisë për agjendën e integrimit euro-atlantik të Kosovës, të proceseve demokratike, si dhe të zhvillimit të ekonomisë e forcimit të mirëqenies së qytetarëve.

Të dy homologët u dakorduan që marrëdhëniet midis dy parlamenteve të forcohet dhe thellohen edhe më tej, në të gjitha nivelet e bashkëpunimit parlamentar.

Në fund të këtij takimi, presidentja e Senatit italian e ftoi kryeparlamentarin Veseli për vizitë zyrtare në Romë. /Lajmi.net/

31729940_10216920994595063_4444956019356860416_n 31713393_10216920994515061_1179437704979415040_n 31681594_10216920994195053_1091394311385251840_n 31706471_10216920994075050_2641923658959814656_n 31698814_10216920993675040_232431690050437120_n