Veseli i bën thirrje edhe një herë opozitës që të marrë përgjegjësitë që i takojnë

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli edhe një herë i ka bërë thirrje partive politike opozitare që të marrin përgjegjësitë që i takojnë.

Lajme

30/01/2019 16:32

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas mbajtjes së Kryesisë së Kuvendit edhe një herë i ka bërë thirrje partive opozitare që të marrinë përgjegjësitë që i takojnë sa i përket dialogut, raporton lajmi.net.

“Çdo veprim, çdo vendim i institucioneve tona duhet të jetë legjitim, duhet të jetë transparent. Kuvendi është vendi ku duhet të barten qëndrimet që ka të bëjnë me vendin tonë. Besoj shumë shpejt do të kemi një koordinim edhe më të mirë në Kuvendin e Kosovës për çështjen e dialogut, për çështjen e përgjegjësive që i ka Kuvendi si institucion përkatësisht deputetët. Unë i ftoj edhe një herë partitë politike opozitare që të marrin përgjegjësitë e tyre dhe mos t’i ikin përgjegjësisë para qytetarëve”, ka thënë Veseli.

Ai edhe një herë ka siguruar se obligim shtetëror është edhe ruajtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.

Tutje Veseli ka siguruar se nuk do të ketë Asociacion me kompetenca ekzekutive dhe pret që këtë vit Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Sipas Veselit, asnjë politikan nuk duhet njëanshëm të mbaj qëndrime për Kosovën.

“Ne e kemi një obligim në vitin 2019 denjësisht me dinjitet të përfaqësojmë interesin e qytetarëve tanë e ai është, sovraniteti, integriteti territorial, jo Asociacion me kompetenca ekzekutive, do të thotë jo pushtet ekzekutiv – pushtet i tretë dhe të përfitojmë ulëse në Organizatën e Kombeve të Bashkuara të Amerikës (OKB). Nga 2019 presim që Serbia ta njohë Kosovën, por nuk është mirë dhe nuk duhet të ndodhë e nuk do të ndodh që njëanshëm personalisht të mbajmë qëndrime për faktin që kemi institucione kemi shtet”, ka thënë Veseli. /Lajmi.net/