Veseli godet partitë që keqpërdorën temat nacionale si reciprocitetin e dialogun për interesa të pushtetit

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka reaguar pas vendimit të qeverisë së Kosovës për heqjen e taksës 100 për qind.

Lajme

06/06/2020 13:01

Veseli në Facebookun e tij shkruan se reciprociteti, taksa, demarkacioni e edhe dialogu janë keqpërdorur për interesa të politikave ditore nga partitë politike që siç thotë ai i ndryshojnë qëndrimet varësisht nëse janë në pushtet ose opozitë, shkruan lajmi.net.

Kreu opozitar Veseli shprehet se këto parti nuk kanë menduar kurrë për qytetarët, as nuk janë sjellë me pjekuri karshi SHBA-ve dhe vendeve evropiane.

Ai qeverinë e Hotit e ka quajtur ‘qeveri e status-quos’, duke thënë se largimi i vendimit mashtrues për reciprocitetin është i mirë, por sipas tij është vijim i një kurthe të ngritur nga Kurti para ikjes nga pushteti e që e ka konsideruar si shantazh politik.

Sipas Veselit, lufta për pushtet i ka verbëruar të dyja qeveritë, atë të Kurtit dhe këtë të Hotit, duke thënë se PDK-ja është partia e vetme që do ta përmbyllë misionin e nisur të shtetndërtimit.

Ky është reagimi i plotë i Veselit:

Reciprociteti, taksa, demarkacioni, ashtu si dhe dialogu u keqpërdorën në vazhdimësi për interesa të politikës ditore nga një grusht partish politike që ndryshojnë qëndrime varësisht nëse janë në pushtet ose në opozitë. Ato asnjëherë nuk menduan për interesat e qytetarëve dhe të vendit, dhe kurrë nuk u sollën me pjekuri karshi Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve mike evropiane. Kauzat elektorale që mashtrojnë qytetarët dhe i zhgënjejnë çdo ditë, mbetet busulla e vetme e veprimit të tyre politik.

Sot, Qeveria e status quos dhe vazhdimit të mashtrimit, largoi vendimin mashtrues për reciprocitetin, dhe mirë ka bërë. Por, është vijim i një kurthe të ngritur nga Albin Kurti para ikjes nga pushteti, si shantazh politik dhe hakmarrje për t’i vendosur një tjetër pengesë Kosovës.

Por, ku po mbetet pjekuria dhe serioziteti ndaj partnerëve të shtetit të Kosovës, SHBA dhe BE, si dhe interesi i qytetarëve, me të cilin abuzohet turpshëm dhe për qëllime të pastra elektorale.

Lufta për pushtet ka vërbuar të dyja këto qeveri që dolën pas zgjedhjeve të 6 tetorit, duke keqpërdorur kauzat qytetare dhe dëmtuar interesat afatgjate nacionale të Kosovës. PDK-ja është partia e vetme që do ta përmbyllë misionin e nisur të shtetndërtimit, rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe anëtarësimin në BE dhe NATO. /Lajmi.net/