Versioni i KQZ’së për votuesit serbë
Kryesuesja e KQZ’së, Valdete Daka, thotë për lajmi.net se shifrat për të cilat ka folur mbrëmë Gjuriq dhe aplikacionet e ardhura përmes OSBE’së janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme. Sipas saj, çështja e rreth 30 mijë aplikacioneve ka përfunduar.
Lajme
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se 12 mijë votuesit serbë për të cilët ka folur të martën Marko Gjuriq, Këshilltar i Presidentit të Serbisë, nuk vijnë nga aplikacionet e kontestuara, por nga lista e mëparshme e votuesve.
Një ditë më parë, zyrtari i Beogradit kishte thënë se qeveria serbe ka arritur që gjatë takimit të djeshëm në Bruksel, t’u bëjë të mundur që edhe 12 mijë serbë të tjerë të regjistrohen në listën e votuesve për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.
Në Prishtinë kjo u interpretua si koncesion që i është bërë Beogradit pas refuzimit të rreth 30 mijë aplikacioneve për regjistrim.
Por Kryesuesja e KQZ’së, Valdete Daka sqaron për lajmi.net se shifrat për të cilat ka folur mbrëmë Gjuriq dhe aplikacionet e ardhura përmes OSBE’së janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme.
“Nuk i di detajet sepse nuk kam qenë në atë takim”.
“Këta 12 mijë votues nuk janë votues të rinj. Janë qytetarë të Kosovës që kanë jetuar jashtë. Bëhet fjalë për qytetarët që janë jashtë Kosovës”,
“Janë dy procese të ndara. Këta 12 mijë votues janë në listën e votuesve qysh moti, ndërsa tjetër çështje është ajo e aplikacioneve të pranuara me postë”, ka thënë Valdete Daka.
“Çështja e aplikacioneve është e përfunduar”, ka sqaruar Daka për lajmi.net.