Vërshimet në Serbi, ndihma edhe nga shqiptarët e Kosovës

Serbia vazhdon ta kontestoj shtetin e Kosovës, por kjo nuk i ka penguar një grup të rinjsh që të organizojnë mbledhjen e ndihmave për t’i dërguar në këtë vend, pas vërshimeve atje. 

Lajme

22/05/2014 20:22

Këta të rinj kane vendosur që sot të bëjnë një foto në grup, ndërsa ditëve të tjera ata do të mbajnë edhe aktivitete të tjera për të mbledhur ndihma. 

Përpos Bosnjës dhe Kroacisë të rinjtë kosovarë do t’i dalin në ndihmë edhe Serbisë, edhe pse ky vend para 15 viteve kishte kryer krime ndaj popullit të Kosovës. 

Por një gjë e tillë, sipas organizatorëve është bërë nga politika, e jo nga populli siç thonë ata.

Rron Gjinovci njëri nga pjesëmarrësit e këtij organizimi, tha se njerëzit duhet të solidarizohen me njerëzit, e jo me çështjet politike.

Ky aktivitet solidariteti është organizuar nga Koalicioni Ad-Hoc i Organizatave dhe Individëve “Solidariteti Përtej Kufijve” (Solidarity Beyond Borders).

Blerta Arditi, aktiviste për të drejtat e njeriut në Kosovë ka treguar më tutje për aktivitetet që do të mbajë ky grup, duke bërë të ditur se për qytetarët nga Bosnja, Serbia dhe Kroacia do të mblidhen fonde, rroba dhe ushqim. (Kosovapress)