Vërshimet në Rahovec e Suharekë, ende nuk dihet vlera e dëmeve
Shiu dhe breshëri i javës së kaluar ka shkaktuar dëme të mëdha në Rahovec dhe Suharekë.
Lajme
Në komunën e Rahovecit dhe të Suharekës shiu i rrëmbyeshëm i javës së kaluar ka shkaktuar mjaft dëme në fushën e bujqësisë dhe në sanitari.
Pavarësisht se janë krijuar komisionet komunale për vlerësimet e dëmeve, ende nuk ka një vlerësim përfundimtar për dëmet e shkaktuara.
Këtë e kanë konfirmuar për lajmi.net, zyrtarë nga të dyja komunat.
Veli Gashi, shefi i kabinetit të kryetarit të Rahovecit, Smajl Latifi, ka thënë për lajmi.net, se ende nuk dihet vlera e saktë e dëmeve.
“Komisionet janë në terren dhe akoma nuk kemi një vlerësim të saktë se sa është vlera e dëmeve. Ka mjaft dëme dhe janë të konsiderueshme. Janë tre apo katër fshatra që janë dëmtuar edhe qyteti i Rahovecit ka pasur telashe. Por ende nuk kemi raport të detajizuar për dëmet dhe jemi duke pritur për vlerësimet nga komisionet”, ka deklaruar Gashi për lajmi.net.
Ndërkaq, javën e kaluar, kreu i Rahovecit, Smajl Latifi, kishte deklaruar se do të kërkojnë ndihmë nga Qeveria e Kosovës për kompensimin e dëmeve.
Lexo edhe:
Vërshimet në Rahovec, komuna do të kërkojë ndihmën e Qeverisë për kompensim
Edhe në komunën e Suharekës ende nuk dihet vlera e dëmeve të shkaktuara.
Në një përgjigje për lajmi.net, nga kjo komunë kanë thënë se komisioni është në formim e sipër dhe se ende nuk dihet kur do të bëhet vlerësimi i dëmeve të shkaktuar nga vërshimet.
“Ende nuk janë bërë vlerësimet dhe komisioni është në formim e sipër dhe personat e prekur nga vërshimet janë duke aplikuar dhe më pas komisioni del në vendin e ngjarjes dhe e bën vlerësimin e gjendjes. Ende nuk dihet se kur do të bëhet vlerësimi i plotë i dëmeve”, kanë thënë për lajmi.net nga komuna e Suharekës.
Vlen të theksohet se komuna e Rahovecit ishte përballur me vërshime edhe vitin e kaluar mirëpo, Qeveria e Kosovës nuk i kishte kompensuar qytetarët 100 për qind. /Lajmi.net/