Vërshime në tërë rajonin, tre persona humbën jetën

Vise të ndryshme të rajonit janë përmbytur nga reshjet e pandërprera të shiut. Situata më e rëndë paraqitet në Bosnje dhe Hercegovinë. 

Lajme

15/05/2014 13:27

Nga reshjet e pandërprera të shiut, shumë vise të vendeve të rajonit të Ballkanit, janë duke u përballur me vërshime.

Në Serbi, tre persona thuhet të kenë humbur jetën dhe gjendja e jashtëzakonshme është shpallur në zonat e goditura rëndë, pas dy ditë reshjesh të furishme.

Më shumë se 500 njerëz janë evakuuar nga pjesët perëndimore dhe jugperëndimore të Serbisë.

Nga këto vërshime, qytetarë nga e gjithë Bosnja e Hercegovina kanë kaluar një natë shumë të vështirë.

Rreth 3,500 shtëpi në Sarajevë kanë mbetur pa rrymë. Autoritetet thanë se punonjësit e shërbimeve emergjente janë duke ofruar ushqim dhe ilaçe pë rata të cilët nuk kanë mundur të largohen nga shtëpitë e tyre. 

Për këtë, Presidenca e Bosnjës, ka thirrur një takim emergjent për të parë se si mund t’iu dilet në ndihmë banorëve të prekur nga vërshimet.

Një numër i shtëpive është shkatërruar, ndërsa janë dëmtuar edhe një pjesë e madhe e të mbjellurave. Situata më e vështirë paraqitet në kantonet e Tuzlës dhe Sarajevës. Por gjendje e vështirë mbretëron edhe nëpër vise tjera të Bosnjës.

Në Kroaci, si shkak i motit të keq, Meteoalarmi ka lëshuar një paralajmërim në pothuajse të gjithë shtetin, për mundësinë e reshjeve të mëdha të shiut, por edhe të erërave të stuhishme.

Mbrëmë, një erë e fortë ka shkulur disa pemë në qytetin e Splitit, ndërsa policia dhe zjarrfikësit kanë shkuar në vend të ngjarjes për të sanuar gjendjen. Të njëjta situata kanë ndodhur edhe në Makarsa, Trogir dhe Komizh.

Ndërsa, edhe në Kosovë reshjet e shiut nuk janë ndalur për disa ditë, por ende nuk dihet nëse ka ndonjë rajon të përmbytur.

Përfundimi i reshjeve të shiut mund të pritet vetëm pas përfundimit të vikendit.