Vërshëllehet Messi

Tifozët e Barcelonës e kanë humbur durimin. Gjatë ndeshjes me Atletico Madridin, disa prej tyre e kanë vërshëllyer edhe yllin e këtij ekipi, Lionel Messi, i cili po kalon një formë të zbehtë.

Sport

18/05/2014 14:38

Kur fillon të vërshëllehet Lionel Messi, gjërat nuk funksionojnë si duhet. 

Tifozët e Barcelonës duket se kanë humbur durimin dhe gjatë ndeshjes me Atletico Madridin janë dëgjuar disa vërshëllima në drejtim të yllit argjentinas, i cili po shfaq formë të zbehtë këtë sezon.

26 vjeçari nuk krijoi raste për gol e as që i shfrytëzoi ato pak mundësi që i erdhën, për t’i kaluar lojtarët një për një.

Atij po ashtu i mungoi angazhimi dhe nuk ishte i gatshëm të vraponte për t’i rikuperuar topat që i humbte.

Nëse shikohen në përgjithësi statistikat e tij, argjentinasi nuk qëndron dhe aq keq. Ai ka realizuar 41 gola në 44 ndeshje këtë sezon, por që nuk i mjaftuan që katalunasit ta fitonin një trofe të vetëm gjatë këtij sezoni.

Tifozët e Barcelonës shpresojnë ta shohin Messin e vërtetë sezonin e ardhshëm, ndërsa argjentinasit shpresojnë ta kenë në formë ideale gjatë Botërorit, i cili është kompeticioni i vetëm që i mungon katër herë Topit të Artë.