Veriu si Perëndim i Egër
Oliver Ivanovic thotë se incidentet në Veri kanë për qëllim frikësimin e serbëve që duan të marrin pjesë në zgjedhje. Ai beson se nëse vazhdon kjo gjendje, qytetarët do të detyrohen të vetëmbrohen. Edhe me armë.

Lajme
Oliver Ivanovic, kandidati për Kryetar të Komunës së Veriut të Mitrovicës, thotë se shpërthimi i bombës në orët e hershme të mëngjesit, në banesën e Nebojsa Maric, punëtor i Drejtorisë së Financave në komunën ilegale në Veri të Mitrovicës – ka për qëllim frikësimin e serbëve të kësaj pjese që të mos marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.
Sipas tij, nëse vazhdon kjo gjendje, qytetarët e këtij rajoni do të detyrohen të gjejnë mënyra për t’u mbrojtur.
“Njerëzit do të fillojnë që të vetëmbrohen me anë të armëve. Kjo është e rrezikshme”.
“Nëse nuk do të ketë bashkëpunim mes tri policive, një skenar i tillë do të jetë shumë i mundshëm”.
“Veprimi sjell reagimin dhe kundër-reagimin. Kjo mund ta shndërrojë Veriun në një Perëndim të Egër. Një gjë e tillë godet më së shumti të pambrojturit – fëmijët, gratë dhe intelektualët, të cilët do të fillojnë të ikin. Shtrohet pyetja – kush do të qëndrojë këtu?”.
Ivanovic, kohë më parë deklaroi për lajmi.net se grupe serbësh kanë kërcënuar vazhdimisht qytetarët që të mos marrin pjesë në zgjedhje.
Kërcënimet e tilla do ta ulin numrin e votuesve serbë, ka thënë sot Ivanovic për mediat serbe.
“Përderisa sulme të tilla vazhdojnë të përsëriten, kjo do të ndikojë që të ulet numri i votuesve në 15 për qind. Një gjë e tillë do t’i konvenojë më shumti atyre që janë kundër këtyre zgjedhjeve dhe të cilët thonë se 85 për qind e serbëve në Kosovë janë kundër këtij procesi. Kjo gjë nuk është e vërtetë, sepse 85 për qind janë pro zgjedhjeve, por frikësohen të jenë pjesëmarrës”.
“Nëse probleme të tilla nuk zgjidhen menjëherë, është normale që ato të përsëriten”.