Veriu, “pika e zezë” pas pavarësisë/ Banorët shqiptarë jetojnë mes frikës e rrezikut, të dëbuarit kanë vetëm kujtime

Me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës shpresat u shtuan për stabilitet në të gjitha fushat dhe jetë më të mirë. Por, tash 13 vjet pas nuk do duket të jetë gjithçka siç ishte pritur, raporton lajmi.net.

Lajme

17/02/2021 20:10

Pjesa veriore e Kosovës mbetet ende “pika e zezë” në hartën e shtetësisë së vendit. Bashkëjetesa e dikurshme mes shqiptarëve dhe serbëve në këtë pjesë tashmë thuajse është inekzistente. Pak janë shqiptarët që jetojnë në veri të Mitrovicës. Shumica u shpërngulën, disa u detyruan t’i shesin pronat e disave ua uzurpuan.

Ata që vazhdojnë të jetojnë këtu asnjëherë nuk u ndejnë plotësisht të sigurtë dhe të lirë.

Në Lagjen e Doktorëve në veri të Mitrovicës jetojnë 15 familje shqiptare. Në mesin e tyre edhe familja Myftari.

Thuajse tërë jetën e kaloi në pjesën veriore të Mitrovicës, ku u lind dhe u rrit. Gjatë luftës, Musa Mytarit iu dogj shtëpia dhe deri në vitin 2009 nuk arriti të kthehet shtëpinë e tij. Ai së bashku me familje u kthyhen të jetojnë në veri më 17 shkurt 2009, ditën kur Kosova mbushi një vit si shtet i pavarur.

Pavarësisht rikthimit në shtëpi, qëndrimi këtu shumë herë ishte i rrezikshëm për të dhe fqinjët e tij shqiptarë. Ai, për lajmi.net tregoi rrezikun në këtë pjesë të Kosovës.

“Në veri të Mitrovicës, jetesa në përgjithësi është e vështirë, për shumë arsye. Së pari, për shkaqe sigurie. Ne asnjëherë nuk jemi të sigurt se bimë të flejmë dhe se do të zgjohemi në mëngjes. Kjo pasiguri është permanente edhe pse kohëve të fundit nuk kemi pasë ndonjë telashe. Me shumë, prej atyre më të thjeshta, britma e zhurmës të njerëzve të organizuar të veriut, serbëve, grupeve paramilitare serbe. Zhumra, hudhje të gurëve, hudhje të mbeturinave, djegieve e deri te krismat e ndryshme me automatikë e revole edhe me bomba. Këto të gjitha pas luftës, kur ne kemi ardhë këtu. Fatmirësisht jo direkt në ne, por në kulmet e shtëpive dhe nuk kemi pasë viktima në njerëz”, rrëfeu ai për lajmi.net.

Derisa me kalimin e viteve jeta në këtë pjesë të Kosovës mendohej të ishte me qetë, për familjen Myftari nuk ishte krejtësisht ashtu. Qetësia nuk ishte e përhershme. Në vitin 2018 shtëpia e tyre bastiset edhe nga Shërbimi Sekret serb.

“ Unë, djali dhe shoqja ime nuk kemi qenë këtu dhe Shërbi Sekret Serb ka hy në shtëpinë time dhe ekanë hallaktë gjithë shtëpinë. Ata sipas t gjitha gjasave kanë kërkua armatim dhe nuk kanë mundur të gjejnë, Në fillim, unë kam menduar se kanë hy hajnat me vjedh, por më vonë kur ka ardhë policia jonë dhe e kanë kontrollua shtëpinë e kanë parë që nuk kanë marrë pare e asgjë, d.m.th nuk kanë lypë pare e as dukat, por kanë lypë armatim. Natyrisht që nuk kanë gjet asgjë”, tha tutje ai.

Në lidhje me këtë rast, ai thotë se nga ajo ditë më nuk ka marrë asnjë informacion nga institucionet e Kosovës.

Derisa u bëri ballë të gjitha provokimeve e sulmeve nga serbët vetëm që të vazhdojë jetën aty ku e filloi, përmendjen e shkëmbimit të territorit të Kosovës e lidh me kujtimet të këqija që ka në vendlindje.

“Ka pasë propozime për korrigjimin e kufijve, por që i bie njëjtjë shkëmbin i territoreve, e që ka qenë absurditet i llojit të vetë. Ku jep Serbia territore pa luftë. Ajo është e pamundur.. Shumë keq. Do të thotë ne edhe një herë të shpërngulemi, ta përjetojmë prapë luftën që ka ndodh në vitin 1999 dhe me i’u nënshtru të gjitha vuajtjeve që i kemi përjetuar në atë kohë”, shtoi ai.

Por, pavarësisht të gjitha vështirësive, Myftari tha se ka shumë arsye për të vazhduar jetën në veri të Mitrovicës.

“Na bënë kjo që është lagjja më e mirë e Mitrovicës, është nostalgjia, është vendi jonë dhe është shtëpia këtu. Është kjo që tërë jetën kam investu këtu dhe për një moment me lëshu dhe mos me jetu këtu kishte me qenë tragjendi, për mos me thënë edhe marre”, tha ai.

Ndryshe nga Myftari, shumë shqiptarë të tjerë u detyruan t’i lënë pronat e tyre në veri dhe të gjejnë vendbanim në pjesë tjera të Kosovë. Në mesin e tyre është edhe Fatlum Sadiku, i cili tani jeton në Vushtrri.

Përfundimisht nga banesa e tij në veri u dëbua në qershorin e vitit 2000, vetëm një vit pasi ishin kthyer pas përfundimit të luftës.
Asnjëherë nuk arriti që ai dhe familjaj e tij të kthehen në veri. Kjo për disa arsye.

“Asryet e mos kthimit, përveç që lidhen me pasigurinë totale, lidhen edhe me neglizhimin që kryeqendra ia ka bërë periferisë, këtë rast Mitrovicës, qoftë me buxhetim, me lënie anash që një ditë kur të hyhet në pazare politike ky vend të mos i dhimbet askusjt dhe realisht ashtu po ngjanë”, tregoi ai për lajmi.net.

Ai tregoi për lajmi.net se ende ndjen nostalgji për një pjesë të jetës atje, por ka edhe kujtime aspak të mira.

“ Nostalgjik ndoshta më bën një farë shtrirje urbanistike, pak më shumë kulturë, pak më shumë art edhe në vitet e 90-ta të ukupimit. Nuk janë ato problemet idioteskte që munden me qenë në një vend krejtësisht jo urban, probleme të pronave, problem të murit me komshiun dhe gëra të tilla që aty nuk i ke pasë. Ka pasë pak shije për kulturë, ka pasë pak shije për sport. Sot kur si një njeri i pjekur i analizoj gjërat, i analizoj bisedat me fëmijët serbë e shoh se krejtësisht kanë qenë në shërbim të nxjerrjes së informacioneve dhe përcjelljes te prindërit e tyre, që zakonisht kanë qenë rezervistë të policisë ose diçka tjetër”, tha ai.

Kujtimet janë të vetmet që ka nga veriu, pasi familja e tij nuk arriti asnjëherë ta kthejë pronën që u mbet në veri, pavarësisht përpjekjeve.

“Në rastin tonë banesën është dashtë me ia lëshu një fqiu, që ka jetuar poshtë nesh. Për mos me marrë dikush tjetër, etyrimisht ia kemi dorëzuar atij çelësat dhe pas një muaji i ka shkëput të gjitha kontaktet me ne dhe realisht është uzurparot i banesës. Kemi tentu prej UN Habitat-it me kthy në vitin 2003, atëherë unë kam qenë fëmi, por prindi im. Por, nuk ka pasur gjasa pasi është dhënë arsyetim që ju keni gjetë strehim dhe nuk jeni me qira. Ashtu ka qenë e vërtetë sepse nuk kemi jetu me qira në Vushtrri. Kjo është përdorë si alibi që ne mos me mund me kthy banesën”, tha ai.

Derisa, jetën tani e zhvillon disa kilometra larg vendlindjes, Sadiku konsideroi që shteti i Kosovës nuk ka më kontroll në veriun e Mitrovicës.

“Kur nuk ke ushtri, nuk ke vendimmarrje politike dhe kur nuk ke depërtim ekonomik në atë pjesë, nuk e kontrollon atë pjesë”, shtoi ai.

Por, ndryshe mendon analisti nga Mitrovica, Nexhmedin Spahiu. Sipas tij Kosova ka shtrirje të sovranitetit në pjesën veriore, por jot ë plotë.

“Ka sovranitet në very të Kosovës, por është i pjesshëm, varësisht prej institucioneve dhe bartësve të institucioneve në fusha të ndryshme. Policia është në tërë territorin e Kosovës, gjykatat, por ka disa institucione që nuk e shtrinjë sovranitetin e vetë dhe kjo varet kryesisht prej mos-patriotizmit, mos-gatishmërisë për me sakrifiku, mos-gatishmërisë për me punu që me shtri sovranitetin në veri”, tha ai.

Derisa shqiptarët janë detyruar të largohen nga veriu,13 vjet pas pavarësisë së Kosovës, Qeveria e Serbisë vazhdon të ndërtojë një lagje luksoze në veri të Mitrovicës. /Lajmi.net/

YouTube player