Veriu i pasigurt për fushatë

Ardiana Hoxhiq thotë se situata e sigurisë në Veriun e Mitrovicës nuk premton fushatë të hapur. Edhe kundër-kandidatët e saj, Oliver Ivanovic e Krstimir Pantic, sipas saj, po bëjnë më shumë fushatë mediale. Thjesht, nuk ka kushte sigurie.

Lajme

08/10/2013 09:25

Kandidatja për Kryetare të Komunës së Veriut të Mitrovicës, Adriana Hoxhiq, thotë se ka frikë të organizojë tubime parazgjedhore në këtë pjesë, të dominuar nga serbët.

Hoxhiq, e cila ka drejtuar deri tash Zyrën Administrative të Qeverisë së Kosovës në veri, thotë për lajmi.net se situata e sigurisë në Veriun e Mitrovicës nuk premton fushatë të hapur.

“Praktikisht fushata në terren ende nuk ka filluar. Ju e dini që situata e sigurisë në Veriun e Mitrovicës nuk premton organizim të një fushate të hapur. Kjo do të thotë se mua nuk më lejohet të mbaj një fushatë të mirëfilltë, për arsye se nuk ka kushte sigurie. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me sigurinë time, por edhe të votuesve të mi potencialë”.

“Situata e sigurisë nuk ka mundësi që të përmirësohet në një të ardhme të afërt. Ju e dini se ka pasur disa shpërthime gjatë kohëve të fundit, që kishin për qëllim pengimin e zgjedhjeve”.

Kundër- kandidatë të Hoxhiqit për pozitën e Kryetarit të Veriut të Mitrovicës janë edhe politikanët Oliver Ivanovic dhe Krstimir Pantic.

“Kundër-kandidatët e mi, Oliver Ivanovic dhe Krstimir Pantic, janë duke e bërë një fushatë më shumë mediale, sidomos Lista Serbe është rregullisht në mediet serbe. Deri më tani nuk kam parë asnjë aktivitet të tyre transparent në qytet përveç presioneve që u bëhen qytetarëve serbë në institucionet kosovare”.

Hoxhiq nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje nga Zyra Administrative në Veri, pavarësisht se zyrtarisht është pjesë e garës për zgjedhjet lokale.

Ajo thotë se pozita e saj është e të njëjtit nivel me atë të Kryetarët aktual të komunave, gjë që, sipas saj, e lejon atë të garojë në zgjedhje pa ndonjë problem.

“Nuk kam dhënë dorëheqje, sepse përshkrimi i punës sime është i njëjtë sikurse ai i Kryetarëve  të komunave tjera, të cilët aktualisht e mbajnë këtë post”.

Me gjithë pengesat, Hoxhiq thotë se do ta bëjë fushatë, pas pak ditësh. Fillimisht paralajmëron se do të marrë pushim në punën që bën aktualisht si Shefe e Zyrës Administrative për Veriun.