Veriu i Kosovës po “vdes”, fajësohet Serbia

Situata në veri të Kosovës mbetet e brishtë pavarësisht organizimit të zgjedhjeve lokale dhe zgjedhjes së kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe. Madje sipas analistëve të kësaj ane, gjendja është edhe më e keqe.

Lajme

14/05/2014 16:26

E fajtorë për këtë situatë është Kosova, Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare, pasi marrëveshja e Brukselit po zbatohet vetëm kur dëshiron Beogradi, u tha një konferencë që u mbajt të mërkurën në Qendrën Mediale në Graçanicë.

Këshilltari komunal i komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanin tha se pavarësisht mbajtjes se zgjedhjeve dhe krijimit të pushtetit në veri, për fat të keq, këtë pushtet ende nuk janë duke e ndjerë.

“Është tashmë e ditur që funksionaliteti dhe puna e Kuvendit komunal veprohet në kushte me së të vështira. Ne presim që statuti ose të miratohet ose t’i dorëzohet gjykatës”.

Uglanin theksoi se këshilltarët komunal në pjesën veriore të Mitrovicës, veprojnë në një rajon që është mjaft specifik, ku nuk ka funksionim të ligjit. Sipas tij, në përputhje me kushtet që janë është shumë e nevojshme që të krijohen kushte për një punë normale.

Ndërkohë, analisti Nexhmedin Spahiu, ka thënë se marrëveshja e Brukselit është pjekur që të jetë sa më shumë kuptimëshe që gjithsecili ta kuptoj atë në mënyrën e vet, derisa sipas tij, kur vjen puna të realizohet në teren, kjo realizohet më vështirë.

Spahiu ka thënë se mekanizmat ndërkombëtar të cilët kanë qenë lehtësues të dialogut, nuk kanë krijuar ndonjë mekanizëm, që është arbitri, se si do duhej të zgjidheshin çështjet konkrete.

Analisti Marko Jakshiq ka thënë se gjendja në veri është ndoshta edhe më e keqe se sa ajo që ka qenë para mbajtjes së zgjedhjeve.

“Personalisht me themelimin e komunave të reja unë si qytetarë nuk shoh ndonjë përmirësim, madje mendoj se situata është shumë më e keqe se sa para këtyre zgjedhjeve dhe veriu gradualisht po vdes. Njerëzit në veri me shumë mendojnë për të shkuar se për të qëndruar dhe ky është problem real për të cilin askush nuk dëshiron të flas”.

Jakshiq ka thënë se puna dhe vendimet e kuvendeve komunale dëshmon se marrëveshja e Brukselit funksionon vetëm pse dëshiron Serbia, dhe se Beogradi është ai që bënë presion në vetëqeverisjen lokale.