Veriu i armatosur duhet të çarmatoset

BE rekomandon që çarmatosja e pjesëtarëve të strukturave paralele në veri të futet në bisedime. Marrëveshja Kosovë-Serbi parasheh shpërbërjen e këtyre strukturave dhe re-integrimin e tyre në institucionet vendore, por jo edhe çarmatosjen e tyre.

Lajme

15/11/2013 08:26

Raportet e organizatave të ndryshme përfshirë edhe ato të inteligjencës flasin për numër të madh armësh në duar të këtyre personave që ende nuk është vendosur se si do të mblidhen.

Kthimin e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës do të vazhdoj ta sfidoj mbetja e shumë armëve ilegale në duar të pjesëtarëve të strukturave paralele, raporton Radio Kosova.

Asnjë nga pikat e marrëveshjes Kosovë- Serbi e arritur në prill këtij viti me lehtësim të BE-së, e as ligji për amnisti nuk përfshin çarmatosjen e këtyre njerëzve. Për këtë arsye Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë konsideron se kjo temë duhet patjetër të jetë në tavolinën e bisedimeve të grupeve punese serbe e shqiptare në Bruksel.

Për më tepër Zyra e Përfaqësuesit Special të BE’së në Kosovë, konsideron se procesin e mbledhjes së armëve të paligjshme duhet ta udhëheq Policia e Kosovës. Por, zyrtarët e kësaj të fundit nuk tregojnë të kenë marrë ndonjë sinjal për t’u marrë me këtë çështje.

Pa dashur të përmend rolin e EULEX’it në këtë çështje vetë shefi i këtij misioni Bernd Borchard i ka thënë Radio Kosovës se mbajtja e këtyre armëve është e rrezikshme.

“Jam i vetëdijshëm që në këtë pjesë të Ballkanit ka shumë armë të paligjshme në shtëpitë e shumë njerëzve. Ky është një proces i gjatë që nuk mund të jetë kurrë aq i lehtë. Por mbajta e armëve të paligjshme përbën kërcënim dhe është e dënueshme jo vetëm në veri por gjithkund në Kosovë”, ka thënë Borchard.

Ndërsa KFOR-i që deri më tani ka udhëhequr fushatat për amnisti të armëve në Kosovë nuk ka preferuar të flas nëse do të jetë në gjendje të mbështes policinë në mbledhjen e armëve ilegale në duar të pjesëtarëve të strukturave paralele.

Ligji për aminsiti i miratuar së fundi si pjesë e marrëveshjes parasheh amnistimin e krimeve të ndryshme të kryera nga pjesëtarët e strukturave paralele të sigurisë deri me datën 20 qershor. Këtu hyn edhe mbajtja në pronësi e kontroll e armëve të paligjshme. Por, asnjë gjë nuk është qartësuar sa i përket dorëzimit të tyre. Dorëzimin e armëve nuk e parasheh as procesi i integrimit të këtyre pjesëtarëve në strukturat e sigurisë së Kosovës.

Deri në vitin 2005 me mbështetjen financiare të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), KFOR-i ka menaxhuar fushatat e amnistisë së armëve të paligjshme. Në këtë kampanja megjithatë sipas të dhënave të UNDP-së dhe KFOR-it janë mbledhur numër tepër i vogël i armëve të lehta.

Sipas Agjencisë amerikane për Reduktimin e Kërcënimit dhe Mbrojtjes në duart e popullatës në Kosovë ilegalisht llogariten të jenë rreth 450 mijë armë të vogla.