Veriorët protestojnë për ndryshimet në Polici

Kryetarët e komunave dhe presidentët e organeve të përkohshme të katër komunave në veri të Kosovës janë të vendosur të mos lejojnë ndryshime në Policinë e Kosovës në veri.

Lajme

09/03/2015 17:25

Nëse nuk gjendet një zgjidhje do të shkaktojë pasoja në siguri dhe politikë, nënvizuan ata.

Funksionarët e Mitrovicës, Zveqanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit kanë pyetur pse komanda e Policisë së Kosovës në Prishtinë synon të bëjë ndryshime në kuadro kur Regjioni i Mitrovicës së Veriut po arrin rezultatet më të mira në të gjithë Kosovën.

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq ka protestuar para dyerve të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës në Mitrovicë, të cilit i janë bashkangjitur qytetarët nga katër komunat në veri. Ai ka thënë se në Zubin Potok në 6 muajt që kemi lënë pas nuk është regjistruar asnjë vepër penale.

“Udhëheqësit e stacioneve policore në Mitrovicën e Veriut kanë mbështetjen absolute, si prej qytetarëve ashtu edhe prej qeveritarëve dhe ne nuk do të lejojmë prishjen e një sistemi të tillë i cili po tregon rezultate të shkëlqyeshme” ka thënë Rakiq, raportojnë mediat serbe.

Presidenti i organit të përkohshëm në Leposaviq dhe udhëheqës i ekipit për implementimin e marrëveshjes së Brukselit, Dragan Jabllanoviq ka përkujtuar se me atë marrëveshje, e cila është shumë specifike për krahinën e veriut, parashihet që ekipin komandues të policisë e propozojnë qeverisjet lokale, kurse vendimin përfundimtar e merr ministria përkatëse.

“Tash kemi një situatë ku policinë e cila punon më së miri në të gjithë Kosovën ata duan ta ndryshojnë të gjithë kuadrin”, ka thënë Jabllanoviq, duke shtuar se një gjë e tillë nuk duhet të lejohet.

Ai ka shtuar se e njëjta mund të vlejë edhe për gjykatën dhe ka shtuar se Prishtina nuk është e integruar me të gjithë policët që janë paraqitur në konkurs dhe se tash dëshiron ta shkelë marrëveshjen e Brukselit.

Komandës regjionale të policisë në veri i është paralajmëruar nga Prishtina se po planifikohet një ndryshim në ekipin komandues policor, përderisa qeverisjet lokale nuk janë në dijeni për këtë. (KosovaPress)