Veprimet për Union Ekonomik të Ballkanit janë të paefektshme pa njohjen e Kosovës

Veprimet për bashkëpunim ekonomik në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor që çojnë kah një Union Doganor apo Ekonomik i këtyre gjashtë shteteve do të jenë të paefektshme pa njohjen kontraktuale në mes të aktorëve të përfshirë në këtë proces.

Lajme

13/07/2017 18:07

Profesori i së Drejtës Evropiane, Avni Mazrreku ka thënë se Samiti i Triestës është vazhdim i Procesit të Berlinit, pra është vazhdim i Agjendës së Politikës së Zgjerimit të Bashkimit Evropian për Ballkanin.

Mazrreku ka thënë se “çfarëdo veprimi teknokratik në dimensione politike në raport të ndërtimit të aranzhmaneve të caktuara qofshin ato të një Unioni Doganor apo të një Unioni Ekonomik janë të paefektshme përkatësisht të parealizueshme derisa statusi i palës kontraktuale nuk njihen nga të gjithë aktorët pjesëmarrës”.

Ai ka thënë se bashkëpunimi në formën e një unioni doganor apo ekonomik në mes të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Mali të Zi, Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës) nuk është një “Jugosllavi e re”.

Mazrreku ka sqaruar për lajmi.net agjendën e politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

“Agjenda e Selanikut e vitit 2003 për Ballkanin Perëndimor është krijuar me qëllimin që Politika e Zgjerimit e Bashkimit Evropian dhe mekanizmat që kanë qenë për vendet e Evropës Lindore dhe Qendrore do të jenë edhe për Ballkanin… ato mekanizma kanë funksionuar mirë në Evropën Lindore dhe Qendrore dhe ajo agjendë ka qenë shumë intensive dhe mirë e implementueshme e me efekte ekstremisht pozitive. Dhe me të njëjtat mekanizma të adresuara në kontekst pak më të ndryshëm për Ballkanin Perëndimor, Bashkimi Evropian ka menduar se me Agjendën e Selanikut do të funksionojë njëjtë”, ka sqaruar Mazrreku.

Ai më tej ka thënë se edhe 14 vite pas Selanikut këto mekanizma kanë pas ngecje në vendete Ballkanit Perëndimor.

“Tash jemi në vitin 2017, apo edhe në vitin 2016 e 2015 BE e ka kuptuar se mekanizmat e njëjtë që janë përdorur për Evropën Qendrore dhe Lindore në Ballkanin Perëndimor kanë pas ngecje, nuk e kanë pasur atë intensitet çfarë ka ndodhë në Evropën Lindore dhe Qendrore për shkak e disa arsyeje… Duke e parë që kjo agjende, këto mekanizma dhe këto strategji nuk kanë funksionuar mirë në Ballkanin Perëndimor, Bashkimi Evropian e mendon, të themi kushtimisht, idenë e konsiderimit të politikës së zgjerimit dhe kështu vjen Agjenda e Berlinit”, ka shtuar Mazrreku.

Por, profesori universitar thotë se problemi kryesor që nga vitit 2003 për këtë proces nuk ka arritur të tejkalohet e që ka të bëjë me njohjen e statusit final të Kosovës.

“Në vitin 2003 BE ka qenë neutrale ndaj statusit të Kosovës, në vitin 2017 poashtu BE nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe çka ka qenë agjendë kritike e vitit 2003, ka qenë instalimi i një politike përkatësisht mekanizmash politik të cilët e qojnë Ballkanin Perëndimor drejt një politike që quhet politike e ndërtimit të fqinjësisë së mirë dhe konstruktive dhe sot është pikërisht çështja e njëjtë, pika e vetme e hapur e pa mbyllur e BE-së, ndërtimi i marrëdhënieve konstruktive midis vendeve të Ballkanit Perëndimor është e pambyllur për shkak se dy vende të Ballkanit Perëndimor nuk e njohin statusin final të Kosovës, që janë Serbia dhe Bonja e Hercegovina”, është shprehur Mazrreku për lajmi.net.

Kështu, ai thotë se veprimet për një Union Doganor për vendet e Ballkanit Perëndimor janë të paefektshme përkatësisht të parealizueshme derisa statusi i palës kontraktuale nuk njihet nga të gjithë aktorët pjesëmarrës.

Çfarëdo veprimi teknokratik në dimensione të caktuara politike në raport të ndërtimit të aranzhmaneve të caktuara qofshin ato të një Unioni Doganor apo të një Unioni Ekonomik janë të paefektshme përkatësisht të parealizueshme derisa statusi i palës kontraktuale nuk njihet nga të gjithë aktorët pjesëmarrës. Dhe nëse shohim se çka ka ndodhë në Triestë e shohim se ideja qendrore konsiston rreth krijimit të një Unioni Doganor, një Unioni Ekonomik të shteteve të Ballkanit. E si do të realizohet kjo ide duke mos e definuar statusin e palëve kontraktuale është pyetja qendrore. Që nënkupton se akti i njohjes së pavarësisë së Kosovë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina janë çështja kyçe që BE nuk ka gjetur ende mekanizma që e do ta bënin atë arritje”, ka deklaruar Mazrreku.

Kurse, duke komentuar zërat që thonë se kjo është një përpjekje për krijimin e një “Jugosllavie të re”, Mazrreku ka thënë se ideja e bashkimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në një union ekonomik mund të interpretohet në kontekstin simbolik nga autor të ndryshëm se këto po shkojnë drejt një pikë të tillë (Jugosllavisë së re). Por, ai thotë se nuk mendon që ky kontekst simbolik i interpretimit është i drejt.

Ai ka thënë se ideja e një bashkimi ekonomik, apo doganor të vendeve të Ballkanit Perëndimor para se këto të bashkohen në Bashkimin Evropian nuk i ngjason Jugosllavisë. /Lajmi.net/