Vepra e Podrimës vjen në frëngjisht me “Viatique”

Në kuadër të Javës së Bibliotekës, poezia e Ali Podrimës ka ardhur në gjuhën frënge, e titulluar “Viatique”. Sali Bashota, profesor në UP, ka deklaruar se Ali Podrimja është poet që e ka krijuar teorinë e krijimit dhe shkrimit të tij.

ShowBiz

16/04/2014 19:02

Rrethanat e vështira politike gjatë viteve ‘60 dhe ato familjare më pas, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në poezitë e poetit të madh shqiptar Ali Podrimja. Vdekja e të birit, Lumit, rezultoi me veprën më të bukur të tij gjer më sot, e cila titullohet “Lum Lumi”.

Vargjet e dhjetëra poezive të shkruara nga dora e Podrimës, që karakterizohen nga thjeshtësia, rima e padukshme dhe simbolet e papritura, janë të përkthyera tashmë në gjuhën franceze në një libër me mbi njëqind faqe.

Vepra e përkthyer në frëngjisht e përbërë nga poezitë më të bukura të shkruara nga Podrimja është promovuar të martën pasdite në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, në kryeqytet, në kuadër të edicionit të 12-të të Javës së Bibliotekës së Kosovës.

Shiu i përzier me borë në mesprillin e këtij viti, nuk ishte bërë pengesë për adhuruesit e flaktë të poezisë shqipe të marrin rrugë për t’i dëgjuar disa vargje të Ali Podrimjës i cili para dy vitesh vdiq në rrethana ende të panjohura.

Me lot në sy e ka nisur fjalimin e tij profesori francez, Alexandre Zotos, teksa kujtonte takimin e parë me poetin e poezisë mahnitëse “Unë biri yt Kosovë”.

“Unë kam një lutje për ju, lexoni dhe rilexoni sa më shpesh që mundeni poezitë e Ali Podrimjës që është përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare, poeti me emër edhe në shkallë ndërkombëtare”, tha francezi Zotos, pasi mblodhi veten nga emocionet e kapluara për poetin e njohur shqiptar.