Vendoset linjë direkte telefonike ndërmjet NATO-s e Moskës
Aleanca veri-atlantike e rivendos lidhjen direkte sekrete telefonike me kreun ushtarak rus, shkruan gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, duke iu referuar një burimi në NATO.

Bota
Gazeta gjermane pohon se kontakti direkt me Moskën do ta ketë komandanti kryesor i NATO-s në Evropë dhe kreu i komitetit ushtarak të aleancës dhe besohet se i ashtuquajturi “telefon i kuq” do të jetë “vazhdimisht i hapur”.
Iniciativën për rivendosjen e kontakteve e nxiti shefi i diplomacisë gjermane Frank-Walter Steinmeier për arsye të rritjes së tensioneve në botë të shkaktuara me konfliktin në Ukrainë.
Ai ka propozuar rivendosjen e lidhjes direkte ndërmjet dy komandave, në mënyrë që të parandalohet përplasja direkte në rast se kriza thellohet më shumë.
Ky është tentimi i parë i lidhjes direkte mes dy komandave ushtarake pas ndërprerjes së Luftës së Ftohtë.
Një linjë e tillë direkte telefonike, e quajtur “telefoni i kuq”, ka ekzistuar edhe ndërmjet Washingtonit e Moskës, në kohën e krizës së Karaibeve, në vitin 1962, kur bota ishte në prag të luftës bërthamore ndërmjet dy superfuqive.