Vendos Qeveria: 60 milionë euro kredi për blerjen e vaksinave antiCOVID

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar nismën për negocimin e marrëveshjes kornizë së kredisë ndërmjet Kosovës dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për financimin e projektit “Reagim Emergjent ndaj COVID-19”, përmes të cilës do sigurohen edhe 25 milionë euro për blerje të vaksinave dhe pajisjeve të tjera për menaxhimin e masës anit-COVID, krahas 35 milionë të tjerave që tashmë janë të ratifikuara në Kuvendin e Kosovës.

Lajme

13/04/2021 14:27

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se nga këto 60 milionë euro tashmë 35 milionë janë të negociuara dhe shtesë janë edhe 25 milionë të tjera.

Ai tutje tha se kushtet e financimit nga kjo bankë janë më të favorshmet dhe norma e interesit mbetet e subvencionuar nga Banka Zhvillimore e KE-së.

“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në përpjekjet e saj për luftimin e efekteve negative të pandemisë në ekonominë e vendit, ka ndërmarrë një sërë masash që mbështesin sektorin e shëndetësisë, mirëqenies sociale dhe sektorin privat. Në vazhdën e këtyre masave sot paraqes para jush nismën për negocimin e marrëveshjes së amandamentimit numër 1 të marrëveshjes ekzistuese me Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës për financimin emergjent ndaj COVID-19. I tërë projekti kap vlerën totale prej 60 milionë eurosh , pra kemi 35 milionë euro tashmë negocimin të nënshkruara, ratifikuara në Kuvend, dhe po bëhet fjalë për një shtesë prej 25 milionë eurosh të cilat sigurohen me këtë amandamentim. Kjo do të sigurojë blerjen e vaksinave sipas marrëveshjeve që negociohen nga MSH dhe përfshirë çfarëdo lloj pajisje mjekësore që ka të bëjë me menaxhimin e pandemisë mes të tjerash. Edhe pse marrëveshja do të negociohet tek pas aprovimit të kësaj nisme dhe themelimit të ekipit negociator më lejoni të rikujtoj që kushtet e financimit të kësaj banke janë më të favorshme se kushtet e tregut dhe norma e interesit po ashtu mbetet e subvencionuar nga Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës deri në 1 milionë euro”, tha Murati.

Në mbledhjen e sotme Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe koncept-dokumentin për pasurinë e pajustifikueshme.