Vendit i kanoset rreziku, thotë ish-presidenti Sejdiu

Ish-presidenti i Kosovës dhe i LDK-së, Fatmri Sejdiu ka komentuar zhvillimet e sotme në Prishtinë, duke thënë se Koosvës i duhet paqja dhe mirëkuptimi. 

Lajme

27/01/2015 20:24

Sejdiu ka shkruar në profilin e tij se protesta e së martës dhe ajo e së shtunës kanë sjellë një situatë dramatike dhe brengosëse për Kosovën.

“Motivi thelbësor i reagimit ndaj deklaratave të pamatura të një anëtari të Qeverisë dhe kundërshtimi i mënyrës se si është vepruar me Projektligjin për Trepçën, është e kuptueshme të nxisë reagime dhe kundërshtim. E gjithë kjo ka mundur dhe besoj se ende nuk është vonë të zgjidhet në mënyrë legale dhe racionale. Në një situatë të tillë, çdo qeveri e përgjegjshme do të ndërmerrte veprime të duhura e të arsyeshme karshi këtyre zhvillimeve kaq shqetësuese”, ka shkruar Sejdiu.

Ai ka kundërshtuar veprimet e dhunshme ndaj objekteve të institucioneve të Republikës, dhe po kështu edhe ato të përdorura në përplasjet e protestuesve e të policisë.

Sejdiu ka tërhequr vërejtjen për rrezikun që po i kanoset vendit. Sipas tij kriza mund të përshkallëzojë deri në përmasën e dëmtimit të rëndë të shtetit tonë.

“Në këtë kohë kaq të brishtë e të ndjeshme për vendin është e domosdoshme qasja racionale e institucioneve të vendit për ruajtjen e stabilitetit të tij, për ruajtjen e sovranitetit shtetëror dhe zhvillimin e demokracisë së mirëfilltë. Kosovës i duhet paqja dhe mirëkuptimi. Kjo mund të bëhet vetëm me përgjegjësi dhe urti njerëzore dhe institucionale”, ka përfunduar ai.