Vendimi për Trepçën, shtyri “varrosjen e saj”

Njohësi i ekonomisë Ibrahim Rexhepi, ka vlerësuar se qeveria me vendimin e saj vetëm e ka shtyrë varrosjen e Trepçës. Ai përmend tri skenarët e mundshme për të ardhmen e Trepçës. Ndërsa, kërkon nga pala kosovare që për Trepçën mos të bisedohet në Bruksel.

Lajme

20/01/2015 15:43

Vendimi i Qeverisë së Kosovës, për të mos kthyer në pronësi të shtetit ndërmarrjen Trepça, përkundër paralajmërimit, vlerësohet i pakuptimtë dhe shqetësues.

Qeveria e Kosovës dje bëri ndryshim të ligjit për ndërmarrjet publike duke shtyrë kohën për përgatitjen e një plani të riorganizimit, sa i përket edhe gjigantit Trepça.

Por, sipas ekspertit të ekonomisë Ibrahim Rexhepi, ky vendim i qeverisë është i pakuptim dhe shqetësues.

Rexhepi në një prononcim për lajmi.net tha se me këtë vendim qeveria nuk e ka zgjidhur fatin për Trepçën, por e ka shtyrë kohën e falimentimit të saj.

“Veprimi i qeverisë ishte i pakuptueshëm, konfuz dhe tejet shqetësues. Kjo vërehet nga fakti se ajo në mëngjes nisi me një koncept për Trepçën, e me pastaj doli me diçka tjetër, që realisht nuk lidhet shumë më fatin e këtij konglomerati”.

“Në vend se ajo të shkojë deri në fund me transformimin pronësor të saj, ajo vetëm sa e shtyri afatin që Trepça të kaloj nën mëshirën e kredituesve. Pra, ajo nuk e zgjidhi fatin e Trepçës, por e shtyri afatin për ‘varrosjen’ e saj”, tha Rexhepi.

I pyetur për ndonjë skenar të ri për Trepçën, Rexhepi shprehet se ky kombinat mbetët nën përgjegjësin e AKP-së, dhe për fatin e tij thotë se do të shihet, vetëm mbas 18 muajve.

“Nuk ka këtu skenar të ri. Trepça sërish mbetet nën përgjegjësinë e AKP-së dhe të Odës së Veçante. Duhet të kalojnë 18 muaj që të merret vendimi për fatin e Trepçës. A do të jetë ristrukturimi, shitja, aktivizimi, falimentimi… ta shohim. Por, ndoshta, deri atëherë do të gjendet një zgjidhje tjetër”, tha Rexhepi i cili është drejtor ekzekutiv i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale të Kosovës (STRAS).

Për zhvillimet e fundit në Trepçë, ka reaguar edhe Serbia. Ajo ka kërkuar që për Trepçën, të bisedohet në bisedimet në Bruksel.

Por, Rexhepi për lajmi.net shprehet se një gjë e tillë nuk guxon të ndodhë.

“Qeveria e Kosovës nuk duhet të pranojë që në Bruksel të debatohet për pronat e Kosovës. Kushtetuta e Kosovës e përkufizon qartë se kush është titullari i këtyre pronave, prandaj edhe negociatat duhet të shkojnë në frymën e Kushtetutës”, tha Rexhepi.