“Vendimi për mbylljen e universiteteve është radikal, të rishikohet”

Ish rektori i Universitetit të Prizrenit, Mazllum Baraliu, ka bërë apel që të rishikohet vendimi për mbylljen e tri universiteteve publike në vend, ai i Prizrenit,i Pejës edhe i Mitrovicës, duke thënë që kjo është e dëmshme për vendin dhe studentët.

Lajme

16/07/2019 19:03

“Vendimi i agjencisë konsideroj që është i gutshëm dhe i bazuar jo sa duhet në gjetjet e ekspertëve, sepse ato kanë dykuptimësi dhe nuk kanë radikalitet që e kanë shprehur agjencia në vendimin përfundimtar”.

“Universiteti i Prizrenit ka një traditë dhe është konsoliduar për vite të tëra. Sigurisht që ka gjetje që do të duhej të ishin më të kompletuara, por për çështjet tjera ekspertët i kanë lënë dykuptimisht”.

“Unë mendoj që për asnjë dozë nuk do të duhej të ndikohej, por të shiqohej me realizëm dhe të mos veprohej në mënyrë aq radikale”.

“Në UPZ, ku kam përvojë, mendoj që vendimi është radikal dhe është dashur të jetë më realist dhe i arsyeshëm, që t’i jep mundësi këtyre institucioneve që kanë traditë. Nga formulimi i ekspertëve dhe ekspertizës nuk rezulton ashtu siç është thënë”.

“Të gjithë ne që kemi punuar aty e dimë që edhe ekspertet ndërkombëtare ndonjëherë me nguti kanë bërë vlerësime dhe copy-paste dhe kemi pas raste kur i kemi kthyer dhe kemi pasur sukses në mbrojtjen e programeve të caktuara. Është dashur që vendimet të jenë më të matura, t’u jepet afat i caktuar për përmirësim por jo në mënyrë radikale të ndërpriten programet”.

“Mendoj që vendimi është radikal për të tri universitetet, veçanërisht për UPZ. Metodologjinë e punës e dimë se si shkon dhe në bazë të ekspertizës së ndërkombëtarëve agjencia do të duhej të bazohej por jo në tërësi. Do të duhet t’u liheshin afatet për përmirësimin e programeve të caktuara. Të jepet vendim me afat të caktuar dhe jo kaq radikal se kjo është një shok pas 10 vjetësh veprimtarie edhe për studentët edhe për punonjësit dhe për vetë arsimin”.

“Edhe një herë agjencia ta rishqyrtojë që të bëhet një vendim më relativ dhe më i arsyeshëm, të jepet afati por të mos ndërpritet mësimi. Kjo sjell më shumë dëm se sa dobi. Jam për atë që në rrugë e sipër të përmirësohen ato që janë mangësi por jo të ndërpritet në mënyrë kaq radikale veprimtaria e tyre në tri universitete publike”.

“Kam respekt të plotë ndaj agjencisë derisa nuk vërtetohet e kundërta. Agjencia në fjalë është dashur ta analizojë më thellë gjendjen e këtyre universiteteve. Veçanërisht në UPZ ku kam pas rast ta shoh dokumentacionin. Formulimi nuk është i qartë. Nëse universitetet kanë bërë copy-paste, e njëjta gjë ka mund t’i ndodhë edhe kësaj agjencie se ekspertet ndërkombëtarë kanë pasur rast që kanë bërë copy-paste vlerësimet, por këtu nuk po i përgjithësoj të gjithë”.

“Të vlerësohet edhe një herë në mënyrën më profesionale, të analizohen të tri këto raste dhe mos harroni se edhe ministri i arsimit u deklarua që kjo çështje duhet të shkojë në qeveri dhe të trajtohet”.

“Këtë është dashur ekspertet tanë ta bëjnë se ata i njohin rrjedhat e këtyre universiteteve publike”.

“Gjendja faktike është se ka hapësirë për rishikim të vendimit. Ka mundësi që të merret një vendim qysh duhet të merret, s’po them as pozitiv as negativ”.

“Viti i humbur në këto universitete është negativ dhe jo vetëm kaq. Ka pasoja të mëdha për ata studentë që kanë vështirësi financiare. Pra, do të ishte mirë që të rishqyrtohen në procedurën ankimore dhe mendoj që hapësirë ka”.

“Është shumë paragjykuese të thuhet që aty nuk mësohet sepse ka studentë të suksesshëm që kanë arritur rezultate nga po këto universitete. Vendimi është jashtëzakonisht radikal dhe do të duhej të rishikohej në kuadër të afateve ankimore dhe të kuptohet mirë propozimi i ekspertëve të ekspertizës dhe pastaj të merret vendimi adekuat, por mundësisht të mos ndërpritet puna në to”.

“Apeloj që agjencia dhe vetë ekspertët ta vlerësojnë drejt dhe mirë dhe ta marrin vendimin duke i pasur parasysh të gjitha rrethanat, legjislacionin në fuqi, gjendjen që e kemi dhe që të ketë një racionalitet në rivlerësimin e vetë”.

“Kam parë vetë ekspertiza të tilla copy-paste, nuk po them që për këtë rast, por ka mundësi që mund të ketë pasur mendime të tilla. Do të duhej agjencia vetë, pavarësisht presioneve nga jashtë, të ketë qasje analitike të thellë, sintetike korrekte, ligjore, ta rishqyrtojë me përgjegjësi secilën ankesë të palëve të dëmtuara”, deklaroi Baraliu në Klan Kosova.