“Vendimi i Kushtetueses kishte defekte”

Analistë për politikë dhe ekspertë të kushtetutës vlerësojnë se përgjigja e Gjykatës Kushtetuese ka qenë me defekte. Sipas Riza Smakës komentimi ka qenë i karakterit më tepër arbitrar.

Lajme

26/08/2014 19:13

Analisti i Grupit Ballkanit për Politika, Naim Rashiti duke folur mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese të publikuar sot, thotë se rrjedha e arsyeshmërisë së vendimit kishte defekte.

Ai në ‘InfoMagazine’ të Klan Kosovës ka thënë se kjo përgjigje ka shkaktuar precedent edhe për raste tjera.

“Rrjedha e arsyeshmërisë kishte defekte. Përgjigja e saj ka shkaktuar precedent edhe për këtë rast. Kjo do të jetë si një lloj vazhdimësie e materieve për pyetjet e presidentes. Materia ishte e njëjtë, sillej gjithçka rreth grupit parlamentar”.

“Jam i bindur se po të kishin qenë palët në pozicionet e kundërta do ta kishim situatën e njëjtë. Në momentin që s’ke institucione funksionale, presidenti duhet të thërrasë në zgjedhje të reja sepse shteti është jofunksional. Ajo që më bën të dyshojë në partitë politike është se të gjithat nuk i donë zgjedhjet”.

“Kam përshtypjen sikur në çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese kontestohet autoriteti i saj. Unë mendoj se sa më shumë thellohet kriza politike aq më shumë do të jenë të kontestueshme institucionet dhe Gjykata Kushtetuese”, tha Rashiti.

Ndërkaq, ekspert i Kushtetuesmërisë Riza Smaka ka thënë se komentimi i situatës nga Kushtetuesja ka qenë më tepër arbitrar, teksa ka shtuar se kjo gjykatë duhet ta interpretojë kushtetutën e assesi të krijojë norma të reja juridike.

“Komentimi është i karakterit më tepër arbitrar”.

“Grupi parlamentar nuk ka dokument tjetër pos kushtetues. Gjykata Kushtetuese duhet ta interpretojë kushtetutën, kurrsesi të krijojë norma juridike kushtetuese të reja. Atë mund ta bëjë vetëm legjislativi, pra, Kuvendi”.

“Përndryshe, komentimi është i karakterit më tepër arbitrarë që mbështetet në disa komentime që nuk janë burime të së drejtës”.