Vendim në përputhje me Ligjet e Kosovës
Ministri i Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic, thotë për lajmi.net se vendimi i Qeverisë për seancat konstituive në katër Komunat e Veriut, i cili do të merret nesër, do të jetë në përputhje me Ligjet e Republikës Kosovës.

Lajme
Ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë me qeverisjen e re në katër Komunat e Veriut të Kosovës, të cilat u konstituuam mbrëmë, pak para mesnatës.
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës presin raportin e vëzhguesve të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për të treguar për të ardhmen e këtyre Komunave.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Slobodan Petrovic, thotë për lajmi.net se ende nuk ka një vendim konkret lidhur me ecurinë e këtyre seancave.
Petrovic thotë vendimet që do t’i marrë Qeveria e Kosovës, pas publikimit të raportit nga MAPL, do të jenë në përputhje me Ligjet e Kosovës, ashtu siç ka ndodhur edhe për të gjitha Komunat tjera në vend.
“Ashtu siç e keni parë edhe vetë, mbrëmë në orët e vona janë mbajtur seancat. Ajo çfarë mund të them është se ka pasur përfaqësues të MAPL’së prezentë në këto seanca. Tashmë ata janë duke bërë raportin për këto seanca, i cili do të prezantohet sonte ose nesër në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës”.
“Unë e thashë atë çfarë pata ta them. Vëzhguesit e MAPL’së, të cilët kanë pasur për detyrë monitorimin e procesit, do të hartojnë raportin për mbajtjen e seancave në katër Komunat e Veriut. Do të ndërmarrim vendimet në përputhje me Ligjet e Kosovës”.
Ai ka hezituar të flasë lidhur me refuzimin e fituesit në garën për Kryetar të Veriut të Mitrovicës, Krstimir Pantic, për të nënshkruar dokumentin e betimit.
“Nuk mund t’ju them më shumë. Raporti do të përcaktojë çdo gjë dhe do të jetë i përpiluar duke respektuar Ligjet e Kosovës”, ka thënë Petrovic për lajmi.net.
Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ndërkaq, i ka deklaruar Radio Kosovës se Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Europian janë dakorduar që inaugurimet të bëhen konform Ligjeve të Kosovës.
“Nëse del që procesi nuk ka qenë në pajtim me Ligjet e Kosovës, atëherë ekziston Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Ligji për Vetëqeverisje Lokale, të cilat i përgjigjen situatës së krijuar”.